Moska zyrtare ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së gjeneralit të lartë amerikan Ashley, i cili tha se Rusia mund të jetë duke shkelur një traktat ndërkombëtar, meqë ajo po kryen testime bërthamore.

Ministria e jashtme ruse në një deklaratë zyrtare për shtyp tha se deklarata e gjeneralit ishte një provokim i pastër.

Deklarata e ministrisë së jashtme ruse vjen një ditë pasi edhe Agjencia amerikane e Inteligjencës dhe Mbrojtjes ka supozuar së Rusia nuk po zbaton Traktatin Gjithpërfshirës për Testime Bërthamore dhe po kryen testime bërthamore të shkallës së ulët.

Gjatë një fjalimi në Uashington Ashley tha: “Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia mund të mos jetë duke zbatuar plotësisht traktatin për testime bërthamore”.

Përgjigjia e ministrisë së Jashtme ruse nuk ka vonuar. Mes të tjerash në të thuhej: “Akuza të tilla janë absolutisht të pabaza dhe synojnë të njollosin shtetin tonë”. Në deklaratë po ashtu i është bërë thirrje Shteteve të Bashkuara “që të tregojnë qasje të përgjegjshme dhe të ratifikojnë këtë Traktat, në mënyrë që zbatohet ky dokument”.

Traktati Gjithpërfshirës për Testime Bërthamore ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, si ato ushtarake, ashtu edhe ato civile në çfarëdo rasti. Ai është nënshkruar dhe ratifikuar nga Rusia, si dhe nënshkruar por jo ratifikuar nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja, fatkeqësisht, nuk është duke u zbatuar në nivel global, meqë tetë shtete me kapacitet bërthamor nuk e kanë nënshkruar atë. Mosmarrëveshjet për këtë traktat kanë ardhur në një kohë kur Moska dhe Uashingtoni janë duke shqyrtuar edhe vazhdimin e disa traktateve tjera.

e.ll./dita

Flash Lajme

Më të lexuarat