Një 13 vjeçar shqiptar është plagosur me armë zjarri gjatë natës së shkuar në qytetin e Milanos.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.40 të mbrëmjes së të dielës në banesën ku ai jetonte me nënën e tij e me të fejuarin e saj italian.

Ky i fundit me profesionin roje sigurie i policisë private dhe identifikuar nga policia italiane si shtetasi Angelo Di Matteo 45 vjeç, ka plagosur në krahun e djathtë 13 vjeçarin shqiptar me një pistoletë të tipit Berretta 98.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, 45-vjeçari ka hyrë në banesë në gjendje të dehur e ka nisur një grindje të dhunshme me të fejuarën e tij, një shtetase shqiptare 51-vjeç.

Gjatë grindjes,  djali i saj 13 vjeçar ka reaguar për t’i ardhur në ndihmë nënës së tij.

Por italiani Angelo Di Matteo ka hapur zjarr kundër tyre, duke plagosur adoleshentin shqiptar.

Menjëherë më pas nënë e bir janë larguar nga banesa, duke kërkuar ndihmë në rrugë.

Pas mbërritjes së policisë, 45-vjeçari italian ka drejtuar pistoletën dhe kundër tyre por është bllokuar nga forcat e rendit.

13 vjeçari është kuruar në një nga spitalet e Milanos dhe ndodhet jashtë rrezikut.

45-vjeçari Angelo Di Matteo është vënë në pranga me akuzën e tentativës së vrasjes.

“I thoja rri larg, rrëfen 51 vjeçarja shqitpare për mediat italiane, por ai më afrohej, i kisha kërkuar disa herë me të mirë të largohej nga shtëpia ime, të ndaheshim por ai nuk pranonte.

Tani uroj të kalbet në burg, ai që qëlloi ndaj djalit tim, një fëmijë 13 vjeçar. Punon dhe si roje sigurie, si mundet? E kam ndihmuar shumë herë dhe ai çfarë bën, vjen e qëllon në shtëpinë time djalin tim”, shprehet ajo mes lotësh.

b.b/dita

Flash Lajme

Më të lexuarat