Kreu i radhës i presidencës tripalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, ka ftuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që do të mbahet në javën e parë të korrikut në Sarajevë, ashtu si edhe Dita ka raportuar.

Kujtojmë se Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia, janë të vetmet shtete të Ballkanit Perëndimor që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndonëse shumë deshën ta konsiderojnë ftesën në fjalë si një njohje jo të drejtpërdrejt të Kosovës nga Bosnje e Hercegovina, një deklaratë e presidencës boshnjake ka nxituar të saktësojë të kundërtën, mëngjesin e kësa së hëne.

Në fakt, zyra e shtypit e Presidentit Dodik, i cili në presidencën tripalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, përfaqëson Republikën Srpska (serbe), nxitoi të deklaronte se “Thaçi nuk është ftuar si përfaqësues i Kosovës, por si përfaqësues i një vendi me status të papërcaktuar dhe me fusnotë”.

Ndër të tjera në deklaratën për shtyp thuhet edhe se: “Republika Srpska njeh mandatin e arrestit për Thaçin të lëshuar nga Serbia, por do t’i garantojë atij imunitet për kohën që do të qëndrojë në Jahorina (Bosnje)”.

Thaçi është një nga 40 ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët Serbia ka lëshuar mandate arresti për krime lufte.

Dodik, në fakt, ka deklaruar se: “nëse Thaçi do të jetë sërish në Bosnjë pa një imunitet të tillë të garantuar nga të drejtat ndërkombëtare, do të arrestohet dhe do t’i dërgohet Serbisë”.

Kujtojmë se muajin e kaluar, presidenti Thaçi refuzoi pjesëmarrjen në konferencën vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që u zhvillua në Bosnje. Ai e sqaroi këtë refuzim të tijin si qëndrim ndaj masave që shteti boshnjak ka aplikuar ndaj kosovarëve dhe mos-njohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

e.ll./dita

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All