Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh gjatë ceremonisë së pranimit të dhjetë automjeteve të blinduara nga Rusia, se deri në fund të vitit, shteti rus do të dërgojë edhe armë të tjera në Serbi, të cilat tashmë janë blerë ose janë dhënë në formë donacionesh.

Vuçiç pohoi gjithashtu lajmin e raportuar në 26 korrik nga Associated Press, se Rumania kishte bllokuar dërgesën e tankeve luftarake ruse dhe të automjeteve të blinduara në Serbi, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Moskës.

Kreu i shtetit serb nuk tregoi për gazetarët sesi kanë mbërritur automjetet e fundit të blinduara, por sqaroi se gjithçka është bërë “në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me atë vend”.

“Nuk dua të flas më gjatë për këtë gjë, mund të them vetëm se i kemi respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjen me Rusinë”, deklaroi Vuçiç pas pohimit se është bërë pranimi zyrtar i automjeteve të blinduara BRDM-2MS në Nish.

Vuçiç citohet të ketë thënë se këto armë i nevojiten Serbisë për të ruajtur sovranitetin.

“Nuk kemi plane për pushtim”, ka thënë ai, na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë.

Ai njoftoi më tej se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.

j.l./ dita

Flash Lajme

Më të lexuarat