Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, demokratja Nancy Pelosi, ka njoftuar të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin.

Dhoma me shumicë demokrate do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish zëvendës presidentin Joe Biden, i cili tashmë kryeson garën e demokratëve si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2020.

Hetimet lidhen me telefonatën mes presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës presidenti Trump dyshohet se i ka kërkuar presidentit ukrainas të hetojë mbi  Biden.

Pelosi u shpreh se të mërkurën Dhoma  e Përfaqësuesve do të votonte një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës për këtë telefonatë.

Ndërkohë administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës Kongresit.

Presidenti Trump deklaroi pak ditë më parë se do të donte që telefonata me homologun e tij të bëhej publike, pasi ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar.

Në lidhje me deklaratat e Pelosit, presidenti Trump u prononcua përmes Twitter, ku e quajti këtë nismë gjueti shtrigash.

Burimi: VoA

e.ll./dita

Flash Lajme

Më të lexuarat