Baballarët e tyre vizituan Filipinet për të blerë seks. Tani një gjeneratë e tërë fëmijësh duan t’i gjejnë ata.

Këto janë historitë e trishta të fëmijëve që turistët e seksit kanë lënë pas në vendet ku kanë shkuar.

Ata nuk dinë asgjë për baballarët e tyre, madje shpesh as nënat e tyre nuk dinë ndonjë gjë më shumë . Këta fëmijë kanë ardhur në jetë si pasojë e aventurave seksuale të burrave në moshë, kryesisht nga Amerika, Australia dhe Europa me vajzat e reja filipineze.

Brigette Sicat është një vogëlushe 10 vjeçe, e cila jeton në një shtëpi ku mungon gjithçka dhe shiu që bie e kthen dyshemenë e barakes ku ajo jeton së bashku me gjyshen e saj, në një hapësirë të mbuluar nga balta.

Nëna e Brigette është një punëtore seksi. Ndërsa Brigette e di se diku, larg, në një vend që mezi mund ta imagjinojë, por që quhet Angli, ajo ka një baba. Ajo di vetëm emrin që ai i ka thënë nënës së saj: Mateu.

Kur vajza e vogël pyetet se çfarë do t’i thoshte  babait të saj nëse do të kishte mundësi t’i dërgonte një mesazh, Brigette në fillim shtanget. Pastaj ajo shpërthen në një sërë pyetjesh: “Kush je ti? Ku je tani? A mendon ndonjëherë për mua?

Lagjia ku banon Brigette,  Angeles City, është një ndër lagjet më të varfëra të Filipineve dhe fëmijët këtu përfaqësojnë “Kombet e Bashkuara” të prindërve të tyre. Fytyrat e tyre tregojnë të gjithë historinë; lëkurë e bardhë, lëkurë e zezë, tipare koreane, kaukaziane. Kjo, sepse baballarët e tyre, ashtu si ai i Brigette, janë turistë seksi.

Nënat e tyre qëllojnë të jenë shpesh vetë fëmijë të punonjësve të seksit dhe të huajve pa emër. Këta fëmijë të vegjël janë gjenerata e tretë e braktisur nga baballarët e tyre.

Angeles City, 85 km në veri-perëndim të Manilas, është një nga qendrat e turizmit seksual në Azi.

E veçanta e qytetit është “përvoja e së dashurës”, ku ju paguani një grua të jetë “e dashura” juaj për një ditë, një natë, një javë ose një muaj. Kjo mund të përfshijë vajtjen me pushime në resorset luksoze, ose thjesht të qëndroni në hotelin e një klienti, duke përmbushur çdo dëshirë të tij, informon dritare.net.

Kështu u takua edhe nëna e Brigette, Aiza me Mateu, një vizitor i rregullt në baret e seksit të qytetit. Kur, pas disa vizitave gjatë të cilave ai kishte qenë “klient i rregullt” i saj, ajo i tha atij se ishte shtatzënë, ai tha që ai kishte paguar tashmë vetëm për seksin. Ishte faji i saj nëse ajo kishte mbetur shtatzënë.

Kur Brigette ishte dy vjeçe, familja dëgjoi që Mateu ishte përsëri në  qytet dhe e çuan atë të shihte të atin në barin e tij të preferuar, por nuk mund të hyjë brenda.

Që atëherë ato nuk kanë dëgjuar asgjë për të. Ndërkohë, nëna e Brigette e ka braktisur vajzën e saj dhe ia ka lënë gjyshes së saj për t’u kujdesur.

Kur Nely Pones, 45 vjeç, mbeti shtatzënë me vajzën e saj, Michelle, nëntë vjet më parë, ajo shpresonte për një marrëdhënie afatgjatë me babanë e saj. David është skocez dhe ai e pagoi atë tre javë që të ishte e dashura e tij. Ai pagoi 31,000 peso ose 460  paund. Nely tregon se Davidi i foli asaj për martesë. Por kur mësoi se ajo ishte shtatzënë, ai kishte filluar një marrëdhënie me një grua tjetër filipineze, me të cilën u martua më vonë.

David i tha Nely-t se ai do ta mbështeste financiarisht fëmijën nëse ajo do të provonte përmes testit të AND-së se fëmija ishte e tij.

Justin Quintero, 17 vjeç do të dëshironte të lidhej me familjen e tij britanike. Babai i Justinit ishte klient i rregullit i nënës së tij, Shelly, kur ajo ishte vetëm 24 vjeç ndërsa ai në të 50-at e tij.

Babai i Justinit i tha asaj se quhej Franz, megjithëse tani ajo beson se ky ishte një pseudonim. Lidhja e saj me Franz zgjati pesë vjet, ndërsa Shelly e konsideronte veten, gruan e dytë të tij. Nga raporti me të ajo pati dhe një vajzë, të cilën e dha për adoptim pasi nuk kishte kushte ekonomike. Ai e mbajti Justin vetëm një herë në dorë, tregon Shelly.

Sipas departamentit të turizmit, më shumë se 4.7 milionë të huaj që vijnë në Filipine çdo vit. Nga këta, 1.2 milionë janë burra të vetmuar. Më të shumtë janë turistët nga Koreja, SH.B.A., Kina dhe Australia. Mbretëria e Bashkuar është e nënta në listë, e ndjekur nga vendet e tjera evropiane. Në vitin 2011, ambasadori i atëhershëm amerikan në Filipine, Harry Thomas, tha në një konferencë shtypi se 40% e turistëve meshkuj e vizituan vendin vetëm për seks./ Përshtati J.H/ dritare.net

Flash Lajme

Më të lexuarat