Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot të ngarkuarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Thaçi dhe i ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor biseduan për zhvillimet e fundit dhe për nevojën e krijimit të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, informon zyra e presidentit.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

“Kosova është një demokraci e konsoliduar, e dëshmuar në zgjedhjet e fundit. Ka institucione të pavarura të fuqishme, profesionale, të pavarura dhe liri të shprehjes”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë në një postim në “Facebook” shkruan se biseduan për arritjet e Kosovës, me theks të veçantë për maturitetin politik që u dëshmua në zgjedhjet e fundit.

 “Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, shkruhet në njoftimin e zyrës së presidencës.

Nga ana e tij Thaçi shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për rend dhe ligj, për forcimin e të ardhmes euroatlantike, për reformat demokratike dhe do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila forcon paqen jo vetëm brenda dy vendeve, por në tërë Ballkanin Perëndimor.

Flash Lajme

Më të lexuarat