Disa media kineze e kanë lidhur origjinën e pandemisë së koronavirusit me Italinë, pasi një doktor në Milano ka deklaruar se doktorët italianë “panë disa raste shumë të çuditshme pandemie” në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.

Pekini po refuzon tashmë bindjen se koronavirusi shpërtheu fillimisht në Wuhan dhe mediat shtetërore si “The Global Times” dhe “CCTV” po bazohen shumë te komentet e italianit Giuseppe Remuzzi, drejtori i institutit “Mario Negri” për kërkim farmaceutik.

“Doktorët mbajnë mend se kanë parë disa pneumoni shumë të çuditshme, shumë të rënda, sidomos te të moshuarit, në muajin dhjetor, madje edhe në nëntor. Kjo do të thotë se virusi po qarkullonte në Lombardi përpara se ne të mësonim për shpërthimin e tij në Kinë”, pati thënë doktori italian për “NPR”.

Kjo deklaratë është përdorur nga mediat kineze për të thënë se kriza botërore nuk nisi në vendin e tyre.

“Global Times” raportoi se “virusi mund të ketë qenë duke u përhapur në Itali përpara se të shpërthente në Kinë”.

Në një intervistë përpara disa ditëve për kinezen “DeepTech”, profesori sqaroi se thelbi i deklaratave të tij ishte fakti se sa shumë ishte përhapur virusi përpara se të zbulohej, jo se nga erdhi.

e.k. / dita

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All