Ekonomia turke ka hyrë në recesionin e parë të një dekade, e shkak për këtë është bërë kolapsi i lirës dhe rritja e shpejtë e normave të interesit.

Sipas Institutit të Statistikave të Turqisë, ekonomia u tkurr me 2.4% në tremujorin e fundit të vitit 2018. Një kontraktim prej 1.6% u regjistrua edhe në tremujorin e tretë.

Ajo që çoi në zhvlerësimin e fortë të monedhës turke dhe shtrenjtimin e importeve ka qenë lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vitin që shkoi, lira humbi 30% të vlerës kundrejt dollarit amerikan, gjë që shtyu Bankën Qendrore të rriste normat e interesit, duke e bërë huamarrjen më të kushtueshme. Efekti ishte zinxhir: pasojat i vuajtën shitjet e makinave dhe të banesave, ndërsa u godit edhe prodhimi industrial.

Lajmi vjen në kohën kur presidenti Recep Tayyip Erdogan po lufton për të ruajtur kontrollin e partisë së tij në qytetet kyçe, Ankara dhe Stamboll, në zgjedhjet lokale. Rritja e çmimeve, sidomos ato të ushqimeve dhe papunësia e lartë mbeten tema të rëndësishme zgjedhore.

Përplasjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara janë pasojë e qëndrimeve të kundërta mbi një sërë çështjesh, përfshirë mënyrën e të luftuarit kundër Shtetit Islamik dhe këmbënguljen e Ankarasë që Amerika të ekstradojë klerikun mysliman, Fethullah Gulen.

V.l/ Dita

Flash Lajme

Më të lexuarat