Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, prestigjiozja BBC ka botuar letrën e djalit të gazetares malteze, Daphne Caruana Galizia, e cila u vra në vitin 2017.

Djali i saj, Mathew, ka rrëfyer të gjithë historinë sesi ka ndodhur ngjarja, luftën për drejtësinë e nënës së tij të vrarë dhe luftën që ai dhe familja e tij po bëjnë në përpjekje për të garantuar lirinë e shprehjes.

Më poshtë dritare.net ju sjell një përmbledhje të letrës së tij:

Gazetarja Daphne Caruana Galizia, para 6 vjetësh,  kishte botuar një postim satirik, për një kandidat për kryeministër në Maltë, ditën e zgjedhjeve. Atë natë, pas statusit, në shtëpinë e tyre kishin mbërritur një detektiv policie, me një urdhër arresti, duke e akuzuar për shprehje të paligjshme.

Në letër, ai shkruan se e  mori vesh arrestimin e mamasë së tij, kur ai ishte në anën tjetër të botës, në punë. Atij i kishte shkuar në celular video nga lirimi i saj, në mesnatë, ku ajo shfaqej e veshur vetëm me një këmishë të bardhë, të bashkëshortit të saj.

Disa orë më vonë, mamaja e tij, bëri një postim tjetër duke kërkuar falje për statusin, duke treguar dhe mënyrën aspak të këndshme si e kishin arrestuar.

Detektivi i cili e arrestoi Dahphen, dyshohet të jetë i njëjti  me atë që e ka vrarë, dhe tashmë është nën hetim.

Ditën që ajo u vra me eksploziv në makinë, ishte duke shkuar në një bankë për të kontrolluar llogarinë e saj, e cila ishte bllokuar me kërkesë të një ministri. Daphne sapo kishte bërë 53-vjeç dhe ishte në kulmin e karrierës së saj 30-vjeçare, si gazetare.

Djali i saj, shkruan se, “Mbështetësit e qeverisë festuan fshehurazi për vrasjen e saj, duke më kujtuar kështu mua, vrasjen e  redaktorit të gazetës turko-armene Hrant Dink”.

Mathew shprehet në letër se, familja e tij duan drejtësi për vrasjen e nënës së tyre.

“Brenda familjes time, ne flasim me njëri-tjetrin për durimin e pakët që kemi, kur shohim mosveprimin dhe indiferencën e njerëz, veçanërisht të atyre që kanë pushtet. Ne e kemi të vështirë të mos sulmojmë cinizmin dhe përtacërinë e tyre. Kur u vra një gazetar turk, çështja u pushua dhe policia tha: “Nuk mund të bëjmë dot gjë, duhen shumë tulla për t’u hequr”, dhe bashkëshortja e tij u kishte thënë: “Hiqini një nga një, derisa i gjithë muri të shembet”. Këtë po bëjmë dhe ne sot, që kur nëna jonë u vra.”, shkruhet në letrën e tij.

Ata sot po përpiqen të gjejnë drejtësi për nënën e tyre dhe po detyrojnë të bëhen ndryshime kulturore, për të krijuar sa më shumë respekt për shprehjen e lirë të fjalës, si një akt i thjesht që e bën shtetin të bëjë detyrën e tij dhe të japë drejtësi.

Ata janë bashkuar për të çrrënjosur sëmundjen e “censurës”, për t’i mësuar botës të respektojnë të drejtat e njeriut./E.B-dritare.net

Flash Lajme

Më të lexuarat