Dallgët e jetës ndonjëherë të përplasin në brigje krejt të panjohura. E tillë është historia e tri të rinjve italianë që nuk e kishin paramenduar që do të gjendeshin sot mes një lufte kaq të vështirë për vendin e tyre dhe botën mbarë.

Studentja 26-vjeçare e Mjekësisë Chiara Bonini sapo kishte dhënë provimin e saj të fundit në universitet, ndërsa do të katapultohej menjëherë në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit në Itali.

“Dua t’i jap një dorë qytetit tim që jeton në këtë moment dramatik, dhe ka një nevojë të vërtetë për mjekë”, tha ajo për qytetin e saj të lindjes Bergamo, një nga qytetet veriore më të goditur në Itali.

Bonini është një nga mijëra të diplomuar italianë që iu përgjigj thirrjes së qeverisë për ndihmë urgjente në trajtimin e shpërthimit të virusit më vdekjeprurës në botë. Vendi evropian numëron 10 mijë vdekje, që përbëjnë gati 1/3 të vdekjeve në mbarë globin.

Në këto orë të vështira Italia ka përshpejtuar procedurën për të diplomuarit e shkollave mjekësore që hyjnë në tregun e punës, duke hequr provimin për spitalin dhe duke rritur numrin e mjekëve të rekrutuar.

Për shumë të diplomuar, do të jetë puna e tyre e parë profesionale në një industri që përballet me krizën më të madhe në një gjeneratë. Kujtojmë që 50 doktorë kanë humbur jetën, sipas Federatës Kombëtare të Mjekëve në Itali. CNN ka biseduar me disa nga mjekët.

“Dhashë provimin e fundit dhe e pashë veten në Spitalin e Bergamos”

Chiara Bonini, 26 vjeç, Bergamo

Bonini po studionte, dhe po përgatitej për provimet e fundit të Mjekësisë në Universitetin e L’Aquila në Italinë qendrore, kur qeveria bëri thirrje që studentët e Mjekësisë të ndihmojnë në Veri. Ajo ishte e vendosur të shkonte të punonte në qytetin e saj të lindjes Bergamo – derisa ra në kontakt me virusin, që beson se e mori nga i dashuri i saj që është po ashtu mjek.

Tanimë e rikuperuar plotësisht, Bonini është në pritje të “pastrimit” tërësor që të punojë sërish.

Pasi ka kontraktuar koronavirusin, Bonini thotë se ndihet më pak e frikësuar për punën e saj të re. “Sistemi im imun tashmë e ka luftuar”, tha ajo. “Pra, nëse do të infektohesha përsëri, trupi im do ta njihte atë në një farë mënyre”, shprehet ajo, duke mos e fshehur frikën nga një rikthim i mundshëm i virusit në trupin e saj.

“Arrogante të mendosh se ky ishte një problem kinez”

Samin Sedghi Zadeh, 29 vjeç, Kremona

Zadeh ka punuar në një spital në qytetin e goditur në Veri të Kremones për dy javët e fundit. Ai la punën e tij të rehatshme si mjek i përgjithshëm në sektorin privat, pasi qeveria kërkoi ndihmë urgjente nga profesionistë mjekësorë. “Një vit më parë kur u diplomova, bëra një premtim për ta bërë veten të dobishëm përballë krizës”,  tha ai. “Të qenit i mbyllur në komoditetin e një zyre nuk po e ndihmon këtë emergjencë kombëtare”, shtoi ai. Familja e Zadeh është me origjinë nga Irani. Ai thotë se reagimi i Iranit ndaj urgjencës ka qenë më i dobët se ai i Italisë, por vendet në Perëndim gjithashtu duhet të ishin përgatitur më mirë.

“Ne të gjithë kemi qenë shumë arrogantë duke menduar se kjo ishte vetëm një çështje kineze,” tha Zadeh.

“Ne në Perëndim nuk mendonim se kjo ishte çështja jonë”,  tha ai. Zadeh tha se megjithëse Italia ka një nga sistemet më të mira të kujdesit shëndetësor në botë, ai shpreson se do të mësojë edhe disa mësime nga kriza. ‘Ndonjëherë kur gjërat kthehen në normale, kujtesa është e shkurtër”, tha ai.

“Si një i ri italian, shpresoj që të ketë më shumë investime në sistemin e kujdesit shëndetësor për studentët”, shtoi ai.

“Nuk u martova. Mjekësia ishte thirrja ime e jetës”

Stefania Pini, 40 vjeç, Kremona

Pini u diplomua në Universitetin e Parmas, gjithashtu në Veri të Italisë, vitin e kaluar. Por ajo u detyrua të transferohej në Zvicrën fqinje për punë, pasi nuk arriti të sigurojë një rezidencë në Itali. Ashtu si shumë maturantë kohët e fundit, ajo kapi shansin për të ndihmuar vendin e saj në luftën ndaj pandemisë. Pini tha se Mjekësia ishte “thirrja e saj në jetë”. ‘Kam investuar tërë jetën time për të bërë këtë punë”, tha ajo. “Unë nuk u martova, kam jetuar për të studiuar”, shtoi 40-vjeçarja. Pini tani po punon në një spital në qytetin e saj të lindjes dhe në Kremones. Pozicioni është i përkohshëm, por ajo shpreson në të ardhmen mund të shoh veten të punësuar me kohë të plotë në vendin e saj. “Jam italiane dhe do të më pëlqente të punoja në Itali”, shprehet ajo. e.r/dita

Flash Lajme

Më të lexuarat