E gjithë Shqipëria është në karantinë për shkak të CoVid-19. Ata që po përballen çdo ditë me të sëmurët që infektohen nga ky virus janë mjekët. Në vendin tonë janë bllokuar  të gjitha operacionet e planifikuara apo konsultat, përveç atyre që janë urgjente.

Gjithçka në shërbimin spitalor është kthyer në shërbim për t’u mbrojtur dhe kuruar nga CoVid-19.

Spitalet kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmë dhe për pajisje mbrojtëse. Por ka nga ata individ që e kanë shfrytëzuar mundësinë e tyre për të prodhuar maska falas për mjekët të cilët kanë nevojë.

Sipërmarrësi Alban Kardashi i studios “A Vizion”, ka shfrytëzuar kohën e lirë dhe pajisjet e vlefshme për të dhënë ndihmën e tij. “Kjo nuk na ndalon që në këtë situatë kritike ekonomike e shoqërore të japim kontributin tonë si mundemi”, thotë ai.

Kjo nismë në fakt është pjesë e një lëvizje në të gjithë botën, ku persona që kanë pajisje si printera 3D apo CNC po ndihmojnë në realizimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët që janë në vijën e parë të luftës.

Albani tregon se, “pasi u njohën me këtë nismë, një grup miqsh e dashamirësisë morën përsipër të paguajnë një pjesë të kostos së materialeve, për të shtuar kështu prodhimin e maskave”. Këto maska janë shumëpërdorimshme dhe mund të dezinfektohen me alkool.

Maskat që do të prodhohen këto ditë do t’u dhurohen spitaleve që kanë nevojë.

“Në fakt kjo nuk mund të quhet maskë, por mburojë për fytyrën, pasi mbulon gojën, hundën dhe sytë. U vjen në ndihmë mjekëve që janë në kontakt me pacientët. Maska mbulon të gjithë fytyrën, e mbron mjekun nëse pacienti kur teshtin dhe stërkalat nuk i shkojnë. Kjo mbron mjekun dhe jo këdo, nuk është për qytetarët. Kjo mburojë është e përbërë nga një shtresë foreksi, pvc-je, llastiku dhe një sfungjer për të ruajtur ballin nga përdorimi i gjatë, pasi mjekët në fund të ditës kanë shenja në fytyrë. Kjo është e mirë sepse edhe mjekët janë njerëz, ndihmon që të mos prekin fytyrën. E bën më të ndërgjegjshëm.”- shpjegon Albani.

Një pjesë e mirë e maskave kanë përfunduar në dorë të mjekëve.

Aktualisht kemi dërguar te materniteti i vjetër dhe spitali rajonal i Durrësit. Sasia është e vogël, kërkesa ka, sepse numri i mjekëve është i lartë dhe kërkesë ka. Në Durrës dërguam 70 copë dhe ka sërish nevojë. Do të mundohemi ta plotësojmë. Ndërsa për realizimin e tyre jemi konsultuar dhe mjekë të cilët na këshilluan që ta bënim të mbulonte vetëm pjesën e gojës dhe gati deri te veshët. Sa i përket dezinfektimit mund të bëhet me alkool apo të tjera. E gjithë pajisja është lehtësisht e dezinfektueshme“- tregon Kardashi i cili edhe pse e ka mbyllur biznesin qysh në fillim të marsit ndihet ende në punë për shkak të këtij angazhimi.

e.r /dita

Flash Lajme

Më të lexuarat