Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka mbrojtur marrëveshjen e administratës Trump me Meksikën. Marrëveshja synon të frenojë  rrjedhën e emigrantëve të Amerikës Qendrore në kufirin SHBA-Meksikë, pasi presidenti Trump kërcënoi Meksikën me tarifa ndëshkuese.

Pompeo deklaroi se problemi i emigrantëve të Amerikës Qendrore drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e së premtes ishte trajtuar në një mënyrë të re, duke theksuar se marrëveshja “pasqyron diplomacinë në rolin e saj më të mirë”.

“Ata që kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar azil do të kthehen menjëherë në Meksikë, ku mund të presin vendimin ndaj aplikimeve të tyre për azil. Kjo është praktikuar edhe më parë; kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë për disa qindra veta përditë. Tani do të mundemi ta bëjmë këtë për të gjithë, çfarë do të jetë një ndryshim thelbësor për ata që vendosin të kalojnë Meksikën në përpjekje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.

Sekretari i Shtetit Pompeo gjithashtu ka këmbëngulur se kjo ishte një marrëveshje e re, pasi atmosfera e marrëveshjes dhe angazhimi nga Meksika janë të ndryshme, çfarë, sipas tij, nuk do të kishte qenë e mundur pa kërcënimin për tarifat të presidentit.

Kujtojmë, se, ashtu si Dita ka raportuar, presidenti Donald Trump e pati quajtur atë të javës së kaluar “marrëveshje të fshehtë shtesë me Meksikën” dhe u pat shprehur i sigurt se ajo do të funksiononte.

Në një deklaratë të përbashkët me SHBA-në të premten e kaluar, Meksika tha se do të vendosë 6,000 anëtarë të Gardës Kombëtare përgjatë kufirit të saj jugor me Guatemalën dhe se të dy vendet do të shqyrtojnë suksesin e veprimeve brenda 45 ditëve.

Tarifat për Meksikën do të kishin filluar të implementoheshin këtë të hënë, por Presidenti Trump i pezulloi ato për një afat të pacaktuar, duke marrë parasysh marrëveshjen, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Flash Lajme