Gjatë një fjalimi ditën e martë në Gjenevë, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një përpjekje globale për të adresuar rreziqet e pabarazisë, teknologjisë së pakontrolluar dhe ndryshimeve klimatike, duke theksuar: “Bota po kalon një krizë të thellë dhe mund të jetë në prag të luftës”.

Gjatë fjalës së tij 44 minutëshe në 100 vjetorin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, ndër të tjera, Macron duke iu referuar problemeve me mbrojtjen sociale, tha: “Unë mendoj se kaosi është këtu. Dhe unë mendoj se është përgjegjësia e brezit tonë që të mos presim për një luftë të re, por të shikojmë botën ashtu siç është”.

“Besoj se nëse nuk kujdesemi, sot ne jemi në prag të luftës. Dhe kjo luftë është e pranishme në demokracitë tona – është kriza e thellë që po kalojmë. Mund të zgjedhim të jemi të përgjumur, por nëse duam përparim të vërtetë, duhet të bëjmë disa angazhime serioze”, shoti ai.

Duke iu referuar politikave të presidentit amerikan Donald Trump por edhe ngritjes të së djathtës ekstreme në Francë, pa dhënë emra, Macron nënvizoi se pabarazia në rritje po ushqen “autoritarizmin” . Votuesit thonë se demokracia nuk na mbron nga pabarazia e shkaktuar nga kapitalizmi i çmendur, “prandaj le t’i mbyllim kufijtë, të ndërtojmë mure dhe të dalim nga multilateralizmi “.

Presidenti Macron njihet si një lider liberal, që  kundërshton fuqishëm ngritjen e së djathtës ekstreme në Evropë, por është disi më i ‘rezervuar’ se aleatja e tij gjermane në politikat për pranimin e emigrantëve. Në Francë popullariteti i tij duket se këtë vit është ndikuar negativisht edhe nga protestat disa mujore “të jelekverdhëve”, protesta kundër reformave ekonomike, dhe kundër një takse karburanti.

e.ll./dita

Flash Lajme