Agnes Callamard, ekspertia e OKB-së që heton vrasjen e Jamal Khashoggi ka deklaruar se ka “prova të besueshme” se princi i kurorës së Arabisë Saudite ishte përgjegjës për vrasjen e gazetarit.

Callamard është raportuese speciale i OKB-së mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore. Ajo ka rekomanduar një hetim për rolin e mundshëm të Muhammed bin Salmanit në vdekjen e gazetarit Khashoggi.

Në një raport prej 101 faqesh mbi vrasjen e z. Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll tetorin e kaluar, zonja Callamard bën thirrje që OKB të “kërkojë” një hetim penal pasues, në të cilin edhe princi i fronit duhet të hetohet mbi vrasjen e zotit Khashoggi.

Callamard theksoi “ndjeshmërinë ekstreme” që duhet pasur kur flitet për përgjegjësisë penale të princit të Arabisë Saudite si dhe të një këshilltari të lartë të gjykatës mbretërore saudite.

Ekspertja nënvizoi se përfundimi i arritur nuk është se ata janë fajtorë.”Përfundimi i vetëm është se ka prova të besueshme që meritojnë hetime të mëtejshme”, tha ajo.

Arabia Saudite ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat se princi ishte i përfshirë në vrasjen e Jamal Khashoggi-t.

Kujtojmë se Khashoggi ishte një kolumnist i Uashington Postit dhe njihej për qëndrimin e tij kritik ndaj princit. Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite më 2 tetor, nga ku ai duhej të merrte dokumentat e nevojshme për tu martuar.

Sipas të dhënave, trupi 58-vjeçarit u nxor nga konsullata saudite, ku gjeti vdekjen, pasi u nda në copa,  raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Flash Lajme