Parlamenti i Kosovës miratoi të hënën me shumicë votash e mes debatesh te rrepta, raportin e Komisionit Parlamentar mbi operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, një vit më parë, duke i bërë thirrje prokurorisë për ndriçimin sa më të shpejtë të këtij rasti.

Komisioni ka gjetur dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit gjatë atij operacioni dhe shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

“Qëllimi i komisionit ka qenë zbulimi i të vërtetës se çka ka ndodhur në këtë rast, identifikimi i lëshimeve dhe shkeljeve ligjore, i mangësive ligjore si dhe procedimin e shkeljeve që janë bërë nga institucionet. 27 dëshmitarë janë ftuar në intervistim dhe dy prej tyre janë ftuar në ri intervistim për shkak të diskrepancave në deklarime. Kemi identifikuar 31 shkelje”, tha kryetari i këtij komisioni hetimor, Xhelal Sveqla.

Përfaqësues të opozitës, ndonëse theksuan se në raport nuk ka dëshmi që përfshijnë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, megjithatë ai, sipas tyre, është përgjegjës për atë operacion.

Ndërkaq, deputetët nga radhët e Partisë Demokratike thanë se opozita po e keqpërdorë rastin dhe akuzuan vet komisionin për shkelje gjatë punës së tij.

dardania.com

Flash Lajme