Këtë të martë presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan është shfaqur për herë të parë në publik pas humbjes së partisë së tij (AKP) në zgjedhjet e përsëritura për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit.

Erdogan ka premtuar se do të nxjerrë mësime dhe do të reflektojë bazuar në “mesazhin e dhënë nga populli”. Nuk u përjashtua as mundësia e rishikimit të kabinetit qeveritar.

Në një takim me deputetët e partisë së tij në parlament, presidenti ka uruar kryetarin e rizgjedhur së bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili fitoi 54.21% të votave në zgjedhjet e së dielës, mbi 770 mijë më shumë se rivali i tij, ish-krueministri Binali Yildirim.

Duhet theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit shënuan një humbje të rrallë elektorale për Erdogan dhe partinë e tij, që udhëhiqte bashkinë e Stambollit qëkur Erdogani vetë u pat zgjedhur  kryetari i saj, në vitin 1994. Humbja e qytetit më të rëndësishëm të Turqisë konsiderohet edhe si një goditje personale ndaj Erdogan-it, i cili kujtohet për thënien e tij të famshme: “Kush fiton Stambollin, fiton Turqinë”.

Kujtojmë se zgjedhjet e përsëritura të së dielës në Stamboll u mbajtën, pasi partia në pushtet e kundërshtoi rezultatin, duke akuzuar për parregullsi. Në zgjedhjet vendore të 31 marsit AKP humbi edhe kryeqytetin Ankara dhe qytetin e tretë më të rëndësishëm në Turqi, Izmirin.

e.ll./dita

Flash Lajme