Britania e Madhe dhe Franca do të dërgojnë trupa shtesë në rajon për të kompensuar boshllëkun që do të krijohet nga tërheqja e SHBA-së pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi pakësimin e numrit të ushtarëve në Siri.

Të dy vendet do të rrisin me 10% deri në 15% numrin e njësive ushtarake të tyre elitare në Siri me qëllim luftimin e organizatës terroriste ISIS. Ndërsa në anën tjetër bëhet e ditur se mbahet i fshehtë numri i ushtarëve që këto vende kanë aktualisht në Siri.

Ndërsa Gjermania ka refuzuar dërgimin e ushtarëve shtesë në Siri, Italia është akoma në fazën e vendimmarrjes.

SHBA-ja e cila ka 2000 deri në 2500 ushtarë në Siri, pritet që ta ulë numrin e ushtarëve të saj në 400. Njësitë e tjera mund të angazhohen në afërsi të Iranit, raportet e të cilit me SHBA janë tepër të tensionuara, sidomos pasi Teherani deklaroi se do të rriste nivelin e pasurimit të uranit deri në përqindjen e përdorimit të tij për armë bërthamore.

Pas kësaj, Presidenti Trump ka paralajmëruar sanksione të tjera më të rrepta ndaj Iranit, i cili ka deklaruar të mërkurën se nuk do hiqte dorë nga planet në lidhje me uranin, raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Flash Lajme