Këtë të enjte, në Beograd të Serbisë, është organizuar një marshim përkujtimor për viktimat e masakrës së Srebrenicës, ku 24 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës, vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Marshi, i organizuar nga Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, u zhvillua në sheshin që ndodhet midis presidencës së Serbisë dhe Parlamentit.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Kanadasë dhe Australisë në vend.

Pjesëmarrësit, përkujtuan viktimat e Srebrenicës përmes ndezjes së qirinjëve.

Në deklaratën e inicativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera u theksua: “Respektimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, nga përfaqësuesit e qeverisë duhet të jetë baza- jo vetëm deklarative- e një politike proaktive të paqes dhe stabilitetit të Serbisë”.

Në një deklaratë të përbashkët, të nënshkruar nga njëmbëdhjetë organizata joqeveritare, me rastin e 24 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, thuhet se “është një fakt i turpshëm që asnjë nga zyrtarët e Republikës së Serbisë – që nga viti 1995 – nuk e ka karakterizuar Srebrenicën si gjenocid. Kjo konfirmon vazhdimësinë e mohimit të gjenocidit në nivel shtetëror dhe të shoqërisë”.

Në Beograd, të enjten në mbrëmje, do të mbahet edhe një performancë teatrore e regjisorit, Zlatko Pakoviq me titull “Srebrenica, kur ne të vrarët, ngrihemi”, ngjarje e përkahur nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

e.ll./dita

Flash Lajme