Amerikanët janë përgatitur të përballen me një tjetër ditë përvëluese, me temperaturat gjatë ditës që do të arrijnë në 38 gradë celsius në një numër qytetesh të mëdha.

I nxehti përvëlues është shtrirë nga pllajat e pjesës qendrore deri në brigjet e Atlantikut dhe ka prekur 150 milionë njerëz.

“Temperaturat që po shohim në qytetin tonë këto ditë, mund të jenë më të lartat në vite. Merreni situatën seriozisht”,  shkruante në Twitter kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio.

I nxehti do të vazhdojë edhe përtej të dielës, ndërsa një sistem i presionit të lartë mbi atlantik, ka sjellë masa ajri subtropikale mbi vend.

Shërbimi kombëtar i motit ka lëshuar paralajmërime për zonën e Uashingtonit dhe Baltimorës ku parashikuesit thonë se temperaturat do të variojnë nga 35 deri në 38 gradë celsius.

Temperaturat e larta dhe lagështia mund të shkaktojnë stres apo goditje nga i nxehti nëse nuk merren masa, paralajmërojnë ekspertët.

Njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë të hidratuar dhe të kujdesen veçanërisht për të sëmurët dhe të moshuarit, të qëndrojnë brenda sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos lënë fëmijë apo kafshët në makina.

I nxehti ka marrë deri më tani të paktën tre jetë njerëzish.

j.l./ dita

Flash Lajme