Autoritetet maqedonase kanë njoftuar lirimin e Tomor Morinës, nga burgu i Shkupit.

Lirimi i Morinës vjen pasi këtë të mërkurë, Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka aprovuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale të Shkupit, e cila në vendim theksonte  se kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Serbi nuk ishin përmbushur.

Në komunikatën e Gjykatës Supreme thuhet: “Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim…Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”.

Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka reaguar menjëherë pas këtij vendimi.

Në një deklaratë për mediat, ajo ka thënë: “Ky është një turp i madh për të drejtën ndërkombëtare, por është një goditje akoma më e madhe dhe trishtim i madh për familjet e viktimave, të cilat kanë dekada në pritje të drejtësisë për të dashurit e tyre”.

Në vijim, Kuburoviq ka deklaruar se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i autorëve të akteve më të rënda kundër njerëzimit, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare ose etnike, duke theksuar se: “ne ia kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë. Nga autoritetet e Serbisë, Morina dyshohet se, si pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë, para 20 viteve.

e.ll./dita

Flash Lajme