Kosova ka numër më të madh votuesish sesa numri i përgjithshëm i banorëve të saj.

Mospërputhjen e nxorën në pah shifrat e listës paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, kur numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit rezulton të jetë 1.972.466, ndërsa të dhënat vjetore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se në 2018-tën, numri i popullatës së përgjithshme rezidente atje ishte 1.795.666.

Disproporcioni mes listave të votuesve dhe numrit të banorëve për përfaqësues të shoqërisë civile të cilët merren me monitorimin e zgjedhjeve paraqet një problematikë të madhe në vend.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Evropa e Lirë se numri më i madh i qytetarëve me të drejtë vote sesa numri i përgjithshëm i banorëve, mund të cenojë edhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Vetë fakti që kemi diku 100 mijë apo më shumë votues se sa banorë, ngjall mosbesim në integritetin e procesit zgjedhor, pasi që kjo automatikisht rrit mundësinë për keqpërdorim apo manipulim të votave”, shprehet ai.

Lista e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi mbështetet tek regjistri qendror civil dhe përfshin të gjithë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

j.l./ dita

Flash Lajme