Rrjeti social Facebook ka njoftuar se ka pezulluar për 24 orë faqen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, për shkak të shkeljes të politikës së kompanisë që lidhet me përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen javën e ardhshme, në faqen e kryeministrit izraelit u bëhej thirrje votuesve të parandalonin krijimin e një qeverie të përbërë: ”nga arabë që duan të na shkatërrojnë të gjithëve, gra, fëmijë dhe burra”.

Postimi ka shkaktuar zemërim në opozitë dhe ka shqetësuar opinionin  publik ndërkombëtar.

Në një intervistë për një media vendase, kryeministri në detyrë Netanjahu mohoi të ishte autori i postimit. Ai shtoi se bëhej fjalë për një gabim të një përfaqësuesi të stafit të tij dhe se postimi ishte hequr.

Kryeministri izraelit Netanjahu po lufton për mbijetesën e tij politike në pritje të zgjedhjeve që mbahen javën e ardhshme. Ai po ushqen votuesit nacionalistë me gjuhë të fortë dhe premtime të një linje të ashpër./ VoA

e.ll./dita

Flash Lajme