Gjatë takimit që është planifikuar të zhvillohet të hënën në Luksemburg, kryeministri britanik, Boris Johnson pritet t’i thotë presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker se Mbretëria e Bashkuar nuk është e gatshme të shtyjë datën e Brexit, pas 31 tetorit.

Sipas burimeve qeveritare në Britani, Johnson pritet të deklarojë se dëshiron të arrijë një marrëveshje deri më 18 tetor, ku do jetë dhe samiti i Bashkimit Evropian. Nëse diçka e tillë është e pamundur për BE-në, Johnson “do të kundërshtojë çdo ofertë për shtyrje” dhe Britania do të largohet pa marrëveshje.

Pak ditë më parë, ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ligj që detyron kryeministrin t’i kërkojë BE-së shtyrje të afatit të fundit për Brexit, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje deri më 19 tetor.

Në një prononcim për mediat, Johnson e ka konsideruar këtë vendim si një tentavië e një numri deputetësh për të shkatërruar Brexit. Ai shtoi se beson që mund të arrijë marrëveshje me BE-në brenda javësh dhe se është duke punuar në atë drejtim.

Johnson, më tej, u shpreh: “Nëse ne arrijmë përparim të mjaftueshëm në ditët në vijim, unë synoj të shkoj në atë samit të rëndësishëm dhe të arrij marrëveshje që mbron interesat e biznesve dhe të qytetarëve në të dyja anët e kufirit të Irlandës”, raporton Dita, duke iu referuar mediave britanike.

e.ll./dita

Flash Lajme