Edhe të enjten trupat ushtarake turke kanë vazhduar ofensivën e tyre në Siri. Ofensiva shënjestron grupet e armatosura kurde, të cilët Turqia i konsideron grupe terroriste,  dhe që kontrollojnë territorin e Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare për operacionin ushtarak në lindje të Lumit Eufrat, duke përsëritur se ofensiva ka për qëllim “të eliminojë terrorin” përgjatë kufijve të Turqisë dhe krijimin e një zone të sigurt në kufi.

Duke iu referuar milicëve kurdë, Erdogan u shpreh se teksa ofensiva po fillon ditën e saj të dytë,  forcat e armatosura turke “kanë neutralizuar 109 terroristë”.

Forcat e armatosura turke u shprehën se gjatë sulmeve ajrore, që të mërkurën, ishin qëlluar gjithsej 181 shënjestra, vendqëndirme, të terroristëve.

Me përfshirjen e forcave tokësore turke në operacion,  forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, raportuan për “përleshje të rënda” në fshatrat kufitare.

Ofensiva turke filloi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga këto zona, një vendimi që nxiti kritika dhe shqetësime sidomos për civilët sirianë.

Turqia kishte muaj që kishte paralajmëruar një operacion ushtarak në kufirin e saj me Sirinë, me qëllim sigurinë e vendit nga forcat që Turqia i konsideron terroriste dhe krijimin e një “zone të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte mbi 2 milion refugjatë sirianë.

Milicitë kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri.

e.ll./dita

Flash Lajme