Pas përfundimit të takimit të ditës së enjte mes Albin Kurtit me Vjosa Osmanit, si përfaqësues të dy partive politike, LVV dhe LDK që morën më shumë vota në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 6 tetorit në Kosovë, kandidati për kryeministër dhe njëherazi kreu i Vetëvendosjes ka deklaruar se me LDK-në janë marrë vesh që ta minimizojnë numrin e ministrive dhe zëvendës ministrave në qeverinë e re.

“Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret do t’ju njoftojmë për emrat e përveçëm në qeverinë e ardhshme” – tha Kurti.

Ndërkohë për ndarjen e posteve Kurti tha se nuk kanë biseduar në takimin e sotëm me Osmanin. Gjatë fjalës së tij Kurti shtoi se qeveria e tij do të ketë transparencë dhe se nuk do të bëjnë pazare politike.

Ai tha: “Pazare politike keni parë me PAN’in. Transparencë do të ketë qeveria e re”.

Kurti shtoi se qeveria e tij do të ketë 12 ministri dhe se nuk do të vrapojë pas Listës Serbe për t’i kërkuar koalicion.

Ndërsa Vjosa Osmani, pas takimit me Kurtin, deklaroi se po pritej edhe numërimi i votave të tjera dhe pastaj do të arrihej në një marrëveshje finale.

Osmani u shpreh:

“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”.

e.ll./dita

Flash Lajme