Të martën i rrëzuan marrëveshjen me Bashkimin Europian, ndërsa 24 orë më vonë Parlamenti i dha votëbesimin kryeministres britanike për të vazhduar punën në krye të qeverisë.

Zonja May fitoi falë votave të deputetëve të saj konservatorë, si dhe demokratëve unionistë të Irlandës së Veriut, që e mbështetën atë në një rezultat të ngjashëm me atë të referendumit të “Brexit”-it, 52 për qind pro dhe 48 për qind kundër.

Mocionin për votëbesim e kërkoi udhëheqësi i opozitës laburiste, i cili e cilësoi qeverinë aktuale gjatë debatit parlamentar si “qeveri zombie”.

Në një deklaratë në “Downing Street” të orëve të vona të së mërkurës, kryeministrja tha se ka filluar konsultimet me udhëheqësit politikë parlamentarë, por kreu i opozitës nuk ka pranuar të bisedojë, duke vënë kusht që kryeministrja të përjashtojë mundësinë e një daljeje nga BE-ja pa marrëveshje.

Votimi i një dite më parë ishte thjesht një ndalesë në garën e saj për ta çuar deri në fund “Brexit”-in, pavarësisht nga forma e arritjes së saj.

Pjesa më e vështirë për nxjerrjen e Britanisë nga labirinthi i “Brexit”-it sapo ka filluar, kur kanë mbetur vetëm 72 ditë nga data e fiksuar për divorcin përfundimtar të Britanise nga Bashkimi Europian, siç qëndrojnë punët deri në këtë moment.

dardania.com

Flash Lajme