Ministri i Jashtëm grek Jorgos Katrugalos deklaron se kanë rifilluar diskutimet lidhur me marrëveshjen bilaterale me Shqipërinë, por se është ende herët për të parashikuar rezultatet.

Në një intervistë për radion Real FM  Katrugalos thotë se vonesat për negociata mbi Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon kanë lidhje me situatën politike në Shqipëri.

Është e drejtë vërejtja për vonesën në negociata, dhe ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek.

Konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit.

Janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin.

Megjithatë, theksoj sërish se vullneti ynë është ecuria dhe përmirësimi i çështjeve bilaterale, e përmes këtij përmirësimi të lirohet dhe rruga europiane për Shqipërinë”.

Katrugalos nënvizon se zgjerimi i vijës bregdetare dhe përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Tsipras.

Madje, zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin”.

Ministri nuk jep një afat kohor të negociatave për paketën e çështjeve me Shqipërinë, që sipas tij janë në varësi të plotë të vendimeve për shelfin detar, por ka theksuar se përbëjnë një prioritet për Greqinë dhe jo thjesht deklarata impresionuese kalimtare.

dardania.com

Flash Lajme