Mbi 80 persona kanë humbur jetën, pasi një traget është mbytur në brigjet e lumit Tigër, në qytetin iraken të Mosulit. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave shumica e viktimave nuk dinin not.

Trageti, në të cilin ndodheshin mbi 100 persona, thuhet se ishte drejtuar për në një ishull turistik në kuadër të festimeve për vitin e ri kurd. Kryeministri iraken Adel Abdul Mahdi, ka urdhëruar nisjen e një hetimi për përcaktimin e përgjegjësive.

Në një deklaratë për shtyp, Mahdi tha se po e ndiqte ngjarjen me dhimbje dhe trishtim dhe kërkoi që ekipet e emergjencës të gjejnë të gjithë të mbijetuarit.

Më herët autoritetet kishin paralajmëruar qytetarët për rritjen e nivelit të ujërave pasi dyert e digës së Mosulit ishin hapur dhe familjarë të viktimave akuzojnë operatorin e trageteve se ka injoruar këshillën.

v.l/ Dita

Flash Lajme