Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po u bën thirrje vendeve të Amerikës së Jugut të mos i pranojnë ofertat për investime dhe ndihma nga vende konkurrente të Amerikës si Kina dhe Rusia.

Zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një mik dhe partner ekonomik më i mirë për Amerikën e Jugut.

Në komentet dje në Santiago të Kilit, shefi i diplomacisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që Amerika e Jugut ka përpara një moment mundësish për të “çimentuar një të ardhme në demokraci, begati dhe paqe për hemisferën.

Është në dorën tuaj ta shfrytëzoni ose ta keqpërdorni këtë mundësi,” u shpreh zoti Pompeo.

Sekretari i Shtetit paralajmëroi se Kina dhe Rusia, të cilat kanë bërë investime të fuqishme në Amerikën e Jugut, sjellin korrupsion dhe dobësim ekonomik.

Ai solli si shembull projektin e dështuar për ndërtimin e një dige në Ekuador, të financuar nga Kina.

Diga pritej të zgjidhte problemet energjetike të Ekuadorit dhe ta nxirrte këtë vend nga varfëria, por deri tani diga funksionon me gjysmën e kapacitetit. Po ashtu thuajse të gjithë zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë projekt janë në burg ose janë ndëshkuar për korrupsion,” u shpreh zoti Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit akuzoi Rusinë se nxit trazira në Venezuelë duke mbështetur regjimin e Presidentit Nicolas Maduro dhe duke dërguar ushtarë për të krijuar një qendër stërvitore.

Ai shtoi se Rusia i ka shitur armë Nikaraguas dhe ka hapur atje një qendër për stërvitjen e policëve. Rezultatet në këtë vend të Amerikës Qendrore, nuk kanë qenë aspak të mira, tha zoti Pompeo.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, nxisin tregtinë e lire dhe ndihmojnë bashkëpunimin rajonal si dhe kanë mbështetur udhëheqësin e opozitës venezueliane që po përpiqet për të kthyer normalitetin në vend.

b.b/dita

Flash Lajme