E veja e kasapit të Ballkanit, Mira Markoviç, ndërroi jetë në Moskë në moshën 76-vjeçare, 20 vjet pas luftërave që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Për gazetarët, ajo ka luajtur një rol kyç në hartimin e strategjive politike të bashkëshortit Sllobodan Millosheviç, që përgjaku rajonin, raporton Tv Klan, në një kronikë të transmetuar prej tij.

Mira Markoviç, e veja e Presidentit të përgjakjes ballkanike, Sllobodan Millosheviç, ka ndërruar jetë një muaj pasi gjykata në Serbi e anuloi akuzën ndaj saj.

Ajo ka ndërruar jetë në Moskë pas një lëndimi pasi kishte rënë dhe kishte thyer dorën dhe një sëmundje mushkërish. Mira, nuk kishte qenë thjeshtë Zonja e Parë e Serbisë. Ajo konsiderohet si një nga projektueset e ideve të bashkëshortit të saj dhe me partine e së majtës jugosllovene JUL, kishte qenë pjesë e sistemit.

Gruaja e imët, sociologia me 100 punime shkencore, kishte përfunduar në arrati në Rusi, atje ku ishte edhe anëtare e akademisë së shkencave. Aleksandar Vasoviç, tani gazetar i Reuters, në atë kohë punonte për median e lirë B92. Rolin e saj e sheh si të rëndësishëm për atë që ndodhi në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Aleksandër Vasoviç, gazetar:Mira Markoviç ka qenë pëshpëritëse e Sllobodan Millosheviçit. Politikat e mëdha i ka udhëhequr vet ai, por Mira ka patur një rol të rëndësishëm sidomos brenda në Serbi dhe ka qenë ndihmuese e politikës, pavarësisht se punët e rënda i kanë kryer njerëzit e tij.

Varrimi i saj ende nuk dihet se si do të bëhet pasi Sllobodan Millosheviç, ishte varrosur në oborrin e familjes, pa nderime shtetërore. Por, tani një pjesë e medias e qajnë vdekjen e saj.

Aleksandër Vasoviç, gazetar: Familja Millosheviç dhe Mira në Serbi shihen njësoj siç është edhe politika e ndarë sot. Një pjesë do ta qajnë, një pjesë do ti mbajnë mend si djajtë e zinj të këtij shteti, kurse të tjerët do të mundohen ta analizojnë. Gjithsesi roli më i madh në histori do t’i takojë vetëm Sllobodan Millosheviçit.

Markoviç ishte kërkuar, por vonë. Rusia kishte konfirmuar azilin e saj politik dhe derisa ishte e kërkuara numër një, në Moskë ku qëndroi 16 vjet, ajo ligjëronte dhe bënte jetë luksoze.

v.l/ Dita

Flash Lajme