Presidenti amerikan Donald Trump pritet ta shtyjë për 6 muaj vendimin për vendosjen e tarifave për makinat e importuara dhe pjesët e këmbimit.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë administratës Trump për agjencinë “Reuters”, sipas të cilave në këtë mënyrë kreu i shtetit do të shmangë hapjen e një fronti tjetër lufte tregtare.

Një njoftim zyrtar lidhur me këtë pritet të bëhet ditën e shtunë, dita kur Trump duhet të marrë një vendim në bazë të rekomandimeve të Departamentit të Tregtisë për të mbrojtur industrinë amerikane të automjeteve nga importet.

Javën e kaluar “Reuters” raportoi se prodhuesit e automjeteve presin që Trump të shtyjë vendimin, teksa negociatat me Bashkimin Europian dhe Japoninë të vazhdojnë. Kompani si “Xheneral Motors”, “Folksvagen”, “Tojota” dhe të tjera paralajmëruan se vendosja e tarifave deri në 25 për qind për makinat e importuara do të ketë efekte dëmtuese.

Edhe stafi i Shtëpisë së Bardhë ka zhvilluar një seri bisedimesh të nivelit të lartë mbi çështjen në fjalë në ditët e fundit dhe u kanë komunikuar vazhdimisht prodhuesve se kanë në plan që ta shtyjnë vendimin.

v.l/ Dita

Flash Lajme