Një shqiptar 60 vjeç u trondit pasi pa fotografinë e këmbës së tij të amputuar, që ishte përdorur në paketat e cigareve, pa marrë më parë lejen e tij.

Fotografia me këmbën e tij të amputuar, shfaqet në paketën e cigareve me mesazhin: “Pirja e duhanit dëmton arteriet”.

Shqiptari i cili aktualisht jeton në Metz, Francë, bëri me dije se e ka humbur këmbën e tij për shkak të një sulmi në Shqipëri në vitin 1997 dhe jo si pasojë e pirjes së duhanit. Menjëherë pasi konstatoi këtë fakt, ai njoftoi avokatin e tij.

Ky i fundit kontaktoi me Komisionin Evropian për të mësuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.

Shqiptari e kishte mësuar këtë fakt nga i biri i tij, 1 vit më parë. Djali i 60 vjeçarit, kishte blerë rastësisht në Luksemburg, një paketë cigaresh ku mbi të, shihej një foto e një këmbe të amputuar. Pasi mori paketën e cigareve në shtëpinë e tij, babai i tij, e vuri re foton dhe i habitur tha se, ishte foto e këmbës së tij.

60 vjeçari u shqetësua kur pa foton e këmbës së tij që po përdorej nga kompanitë e cigareve.

“Është ende e pabesueshme që një person të përfundojë në paketat e cigareve nga Bashkimi Europian pa pëlqimin e tij, klienti im është i tronditur sepse ky amputim nuk ka absolutisht të bëjë me një problem që lidhet me duhanin, por ka ardhur si rezultat i një agresioni në vitin 1997, në Shqipëri. Klienti im ndihet i tradhëtuar, i lënduar në dinjitetin e tij, duke parë paaftësinë e tij në paketimet e cigareve në të gjithë dyqanet e duhanit, duhet pranuar se nuk është shumë e këndshme “, tha avokati i shqiptarit Antoine Fittante.

“Nuk do të kemi probleme të provojmë se kjo është këmba e klientit tim“, tha avokati, ndërkohë që ka nisur nga puna, për të verifikuar, se si arritën fotot e klientit të tij, në Komisionin Europian, i cili është përgjegjës për shpërndarjen e këtyre imazheve, në gjithë BE-në.

Sipas 60 vjeçarit shqiptar, fotografia është marrë nga një spital i qytetit ku ai jeton, kur kishte shkuar të vizitohej, për të parë nëse mund të pajisej me gjymtyrë proteze për këmbën.

dardania.com

Flash Lajme