Forma e tyre shpreh një “substancë”, një mendim, një emocion, një kuptim, që ka patjetër një vlerë, e cila duhet shfaqur gjithnjë para të tjerëve

Trasgresioni është një kujtim i largët.

Tatuazhi është “normalitet”, pas të cilit ekziston një nevojë psikologjike, personale dhe specifike, shpesh sekrete.

Të bësh një tatuazh për pjesën më të madhe të njerëzve duhet që ai të ketë kuptim, e  për këtë arsye shpesh adhuruesit pikturojnë portrete të personazheve të njohur në trupat e tyre, duke u dhënë edhe kuptime të ndryshme.

Por çfarë portretesh zgjedhin shqiptarët për t’i realizuar si tatuazhe në trupat e tyre, padyshim që Skënderbeu mbizotëron, Naim Frashëri është befasi, por të shohësh Mbretëreshën e Anglisë të maskuar, apo Joker-in është diçka tjetër.

Si bëhen tatuazhet

Shumica e njerëzve nuk dinë se si bëhet tatuazhi. Tatuazhi është një shenjë ose vizatim i përhershëm në lëkuren tuaj, me pigmente që injektohen përmes gjilpërave nën shtresën sipërfaqësore të lëkurës suaj. Më shpesh, artistët e tatuazheve përdorin një makinë dore e cila vepron ngjashëm me makinën e qepjes, me një apo më shumë gjilpëra që shpojnë lëkurën vazhdimisht. Me çdo shpim, gjilpërat lëshojnë ngjyrë. Ky proces i cili bëhet pa anestezi dhe që mund të zgjasë disa orë për tatuazhe të mëdha, shkakton gjakderdhje të vogël dhe dhembje.

Disa sekrete…

Disa studime tregojnë se rreth 30 % e personave që kanë tatuazhe kanë menduar t’i heqin. Por kjo është një ndërhyrje e dhimbshme, që kryhet me lazer dhe nuk garanton efikasitet mbi të gjitha ngjyrat. Bluja dhe e zeza janë më të lehta për t’u hequr, ndërsa e kuqja, e gjelbra dhe e bardha, më të vështira. Pavarësisht teknikave, gjithnjë mbetet një shenjë e tatuazhit edhe pasi ai hiqet.

Nëse keni dëshirë të bëni një tatuazh, bëjeni tek ndonjë specialist i njohur. Një studim i Universitetit të Ragensburg-ut në Gjermani, tregon se mes 14 pigmenteve të ngjyrës së zezë, disa prej tyre janë toksikë dhe të aftë për të dëmtuar qelizat.

Nga Winston Churchill, Franklyn Delano Roosvelt e deri tek George Shultz, sekretari amerikan i shtetit gjatë presidencës Reagan, shumë burra shteti krenoheshin me tatuazhet e tyre. Tatuazhi i Churchill ishte një spirancë.

Ka dhe nga ata që tatuazhet i bëjnë për të fituar para. Kimberly Smith, në vitin 2005, bëri tatuazh në qafë emrin e një kazinoje. Me paratë e kësaj reklame ajo pagoi shkollën e fëmijeve. Ajo njihet si iniciatore e tatuazheve publicitare.

Tatuazhet në qafë

Tatuazhet në qafë kanë shumë sukses sot, megjithëse ideja për të duruar gjilpërën rreth veshëve nuk iu pëlqen shumë njerëzve. Por, si me të gjitha tatuazhet, një tatuazh në qafë mund të admirohet për bukurinë e tij, dizajnin e tij ose efektin që merr, pavarësisht nëse dëshirojmë apo jo.

Ka  diçka për të gjitha shijet, nga lloji i vogël dhe minimalist, tek ata që janë  më të mëdhenj dhe më të ndërlikuar, duke kaluar nëpër hipoteza të iluzioneve optike.

Pendimi

Njerëzit po paguajnë më shumë se 100 dollarë për seancë për të kaluar në trajtimin e dhimbshëm me lazer të heqjes së tatuazheve. Personat që veprojnë kështu, janë përgjithësisht femrat, nga mosha 25-40 vjeç.

Specialistët, që merren me bërjen e tatuazheve, shpjegojnë se nuk ka një arsye fikse për zhvillimin e këtij trendi. Disa shprehen se kërkojnë të bëjnë një karrierë të re, të tjera i kanë dhënë fund një lidhjeje domethënëse dhe ka nga ato që shprehen se nuk janë më i njëjti person që ishin kur kanë bërë tatuazhin.

Heqja e tatuazhit funksionon kështu: Lazeri dëmton bojën e tatuazhit dhe sistemi limfatik i trupit fillon ta largojë atë gradualisht

Vetëm 5 për qind e atyre që vendosin ta heqin imazhin që kanë stampuar në trupin e tyre, dëshirojnë që ta zëvendësojnë atë me një tatuazh të ri.

Edhe vendi se ku është bërë tatuazhi ka shumë rëndësi në procesin e largimit të tij, kjo sepse cilësia e bojës varion në qytete ose shtete të ndryshme. Bojërat e lira, normalisht largohen edhe më lehtë e me më pak seanca.

Procedura e heqjes së tatuazhit me lazer është e gjatë, ajo mund të zgjasë 6 ose 7 seanca dhe është shumë më e dhimbshme se bërja e një tatuazhi.

Personit i duhet të futet në një dhomë, të zhvishet nga të gjitha rrobat, të pajiset me një palë syze për mbrojtjen e syve dhe pastaj teknikët fillojnë lazerin.

Fillimisht tatuazhi krijon një flluskë dhe për disa ditë do të fillojë ngadalë të zërë edhe kore. Për disa javë shenjat do të largohen dhe boja po ashtu./ Entela Resuli

Flash Lajme