Sa më shumë të ruani qetësinë dhe të shmangni panikun, do të rrezikoni më pak nga lëndimet apo pasojat që tërmeti mund të shkaktojë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se fillimisht duhet të kërkoni ndihmë.

Nëse tërmeti ka shkaktuar dëme fizike në ambientet tuaja, apo në komunitet kërkoni menjëherë ndihmën e institucioneve shtetërore.

Nëse vini re, përkeqësim të shëndetit si pasojë e stresit shkoni të merrni menjëherë ndihmë të specializuar në pikën apo qendrën më të afërt shëndetësore. Një tjetër këshillë që nuk duhet të neglizhoni është edhe të folurit për frikën, ankthin, stresin e shkaktuar nga tërmeti. Ndani situatën fillimisht me personat që keni pranë.

Nëse gjykoni se situata është tej mundësive personale, për ta menaxhuar duhet të drejtoheni tek një mjek specialist. Gjithashtu këshillohet që të ruani lidhjet me komunitetin. Në situata të tilla, ruajtja e lidhjeve, madje edhe ofrimi i ndihmës nëse është e nevojshme, ndihmon nga ana tjetër edhe në uljen e ankthit dhe në përmirësimin e gjendjes psikologjike.

Kujdesi për fëmijët

Kujdes të veçantë në të tilla raste duhet të tregojmë me ndihmën që duhet të japim për fëmijët, që të kalojnë sa më lehtë që të jetë e mundur stresin e shkaktuar nga tërmeti. Fillimisht duhet të flisni me fëmijët për ndjenjat e tyre dhe sa janë ndikuar nga situata. Përgatituni të flisni për të njëjtat detaje disa herë.

Sigurohuni që ata të kuptojnë se ajo që ndodhi nuk është për fajin e tyre. Sigurojini ata që edhe të rriturit ndonjëherë nuk e kuptojnë atë që po ndodh. Jepni më të mirën tuaj për të qenë mbështetës, të dashur dhe komunikues. Inkurajojini ata që të përfshihen në lojëra dhe aktivitete të ndryshme fizike.

Këshillat si të mbrohemi nga tërmeti!

  • Gjeni strehim në vende të sigurta në shtëpi dhe qëndroni aty derisa të pushojë lëkundja, duke mbuluar fytyrën dhe kokën tuaj me duar.
  • Lëndimet më të mëdha ndodhin kur njerëzit përpiqen të dalin nga ndërtesa gjatë kohës së lëkundjes.
  • Pas ndalimit të lëkundjeve dilni jashtë dhe qëndroni në largësi të sigurt nga ndërtesa.
  • Largohuni nga xhamat, dritaret, muret e jashtme dhe dyert, dhe nga çdo gjë që mund të bjerë, siç janë llambadarët ose raftet.
  • Nëse jeni në shtrat, uluni pranë tij dhe mbroni kokën.
  • Shmangni shkallët dhe ashensorët për aq kohë sa zgjat tërmeti.
  • Mos përdorni ashensorin.
  • Mos dilni në tarracë ose në ballkon.
  • Nëse jeni afër ndërtesës së lartë ose brenda saj, largohuni nga xhamat dhe nga muret e jashtme.
  • Nëse jeni në objekte publike (shkollë, ndërmarrje, qendër tregtare, qendër për çlodhje etj) qëndroni të qetë dhe përpiquni mos t’ju kapë paniku. Rrini larg nga masa e njerëzve të cilët i ka kapur paniku dhe që janë nisur në drejtim të daljeve.
  • Duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të ndërpritet rryma elektrike, dhe alarmet (kundër zjarrit dhe të tjera) mund të kyçen.
  • Gjithnjë duhet të keni të përgatitur llambën me bateri dhe tranzistorin me bateri rezervë.
  • Menjëherë kyçni të gjitha burimet e energjisë elektrike, gazit dhe ujit, derisa të qetësohet lëkundja.
  • Nëse shkaktohet zjarr, përpiquni ta fikni atë, si dhe njoftoni njësinë vendore të zjarrfikëseve.
  • Nëse është e nevojshme dhe nëse keni mundësi bashkojuni ekipeve për shpëtim, merrni pjesë në kërkimin dhe dhënien e ndihmës për viktimat e ndodhura nën gërmadhat e objekteve të rrënuara.

Flash Lajme