Entela Resuli

Një ndër profesionet ku shqiptarët kanë spikatur jashtë vendit dhe pas viteve ’90 është ai i kuzhinierit.

Pjesa më e madhe e tyre, pa asnjë përvojë, kanë mësuar të hedhin hapat e para në kuzhinë, kur nuk kishin prekur asnjëherë tiganin me dorë në Shqipëri.

Vajza dhe sidomos djem të rinj e kanë parë punën e kuzhinës si më të thjeshtën për t’u gjetur në momentin e parë.

E kanë filluar si ndihmës në restorante të ndryshme dhe fal ambicies, dëshirës për të mësuar, kanë arritur të ‘vjedhin’ zanatin, të mësojnë teknikat e gatimit dhe sot të drejtojnë kuzhina në restorante  ndryshme, pse jo edhe duke ngritur restorantet e tyre.

Italia është një ndër vendet që ka “prodhuar” më shumë kuzhinier shqiptarë, por gjithashtu edhe Anglia, Greqia, etj. Domethënë, në shumicën vendeve ku kanë emigruar më shumë shqiptarët.

Vjen një moment, kur edhe ata mund të japin kontributin e tyre për vendin e origjinës edhe pse punojnë dhe jetojnë në dhe’ të huaj.

Tërmeti që preku vendin tonë në 26 nëntor të vitit të kaluar është një nga rastet ku ata duan të ndihmojnë me sa munden.

“La repubblica.it” disa ditë më parë na informoi se pesë shefa shqiptarë kuzhine që jetojnë në Itali kanë pasur një ide origjinale për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ata kanë vendosur të organizojnë një darkë bamirësie në një restorant në zonën e Sienës.

Prej pak ditësh, lajmi është përhapur me shpejtësi në mediat italiane, të cilat i kanë dhënë hapësirë kësaj iniciative, me qëllim mbledhjen e sa më shumë njerëzve, pasi të ardhurat do të shkojnë tek dy familje në nevojë që kanë mbetur pa shtëpi dhe që do të përzgjidhen me kujdes nga organizatorët

Në darkën që do të organizohet më 31 janar, pjesëmarrës do të jenë Entiana Osmenzeza, Ardit Curri,  Gentian Shehi, Lul Vulashi dhe Roland Bukri, të cilët janë shefa kuzhine në restorante të ndryshme të Italisë.

Për realizimin e kësaj darke, ka hapur dyert e restorantit që drejton shef Ardit Curri. Ai që në fillim është treguar shumë i gatshëm për organizimin e këtij aktivitet duke vënë në dispozicion gjithë hapësirën e restorantit.

Ajo që e bën interesante këtë darkë është edhe menuja origjinale shqiptare, pasi klientëve do t’u ofrohen pjata që nisin nga mezet si turshi, lakër e marinuar dhe më tej byrek me lakra apo qepë.

Të tjera pjata janë pastiço, vezë dhe djathë, paçe me kokë viçi dhe tavë kosi me mish qengji.

Për ëmbëlsira, shefat kanë menduar të gatuajnë kadaif me arra, shëndetllie me bajame dhe në fund, për shoqërim, gurabie. Pra, nëse jetoni afër zonës së Sienës dhe ju ka shkuar mendja për palce koke, ja ku e keni rastin!

Për të folur pak më tepër rreth këtij aktiviteti ne folëm me Entiana Osmenzeza, ndër të rrallat vajza shefe që kanë spikatur dhe kanë bërë karrierë në fushën e kuzhinës jashtë vendit.

Në këtë intervistë në Dita ajo na rrëfen më shumë rreth iniciativës dhe darkës që do të mbahet më 31 janar. Të ardhurat e mbledhura nga ky organizim do të shkojnë për dy familje të cilat janë dëmtuara nga tërmeti në Bubq.

-Entiana, të kemi parë të angazhuar këto kohë edhe me projekte të ndryshme në Shqipëri, mund të na thoni ku jeni aktualisht dhe cili është angazhimi juaj kryesor?

Aktualisht jetoj në Tolentino, rajoni Marche si territor. Kam zgjedhur të bëj një jetë familjare dhe profesionale në mes të natyrës, me një projekt të rëndësishëm drejt së ardhmes, ku do të fokusohem të natyra. Në Shqipëri  dhe në Kosovë vij shpesh sepse jam anëtare e bashkë-themeluese e Fondacionit  RRNO. Jemi një rrjet kuzhinierësh shqiptarë që jetojmë dhe punojmë jashtë Shqipërisë. Qëllimi i organizatës është “Zhvillimi, Promovimi i kuzhinës Shqiptare “

Ndërkohë, ju po organizoni një darkë së bashku me disa kolegë të tjerë që ka lidhje me situatën e tërmetit në Shqipëri. A mund të na shpjegoni diçka më tepër?

Në datën 3 Dhjetor isha e ftuar  në Tiranë për një bashkëpunim nga kolegu dhe miku Bledar Kola, kuzhinier i “Mullixhiu” për të marrë pjesë në “Gelinaz”, i cili është një nga eventet më të rëndësishme ndërkombëtare të botës së gastronomisë. Një mundësi e jashtëzakonshme, Gelinaz është diçka që mendoj të gjithë profesionistët e botës duan ta jetojnë.

Kishim bërë gati gjithçka, ishim organizuar, në datën 26 Nëntor në orën 6.50 me lajmërojnë për tërmetin. Unë jetoj në një vend që tërmetin e ka jetuar, para 3 vitesh 2016 me intensitet të fortë.

Unë u transferova më vonë po shenjat kanë ngelur, akoma jemi në gjysmën e rrugës për t’u rindërtuar, kështu që kuptova menjëherë, e ndjeva situatën e rënde.

Bashkë me Bledarin dhe me bashkëpunimin e stafit të tij vendosëm të vazhdonim me planin që kishim caktuar, mos të dorëzoheshim, dhe “Mullixhiu” anuloi “Gelinaz” si event Gala, dhe vendosëm që të gatuajmë në Thumanë dhe Bubq për të prekurit nga Tërmeti.

Gjatë atyre ditëve kam vizituar familje të prekura. Isha vetë aty. Pashë me sytë e mi situatën e vështirë, pashë baltën në vend të rrugëve, ndjeva sa ftohtë bënte, fëmijët e vegjël, të bukur e të pastër si drita e diellit me këmbët e vogla të lagura. Dhe mendova sa me fat jemi e çfarë janë problemet e vërteta të jetës. Nuk e hoqa atë pamje fisnike të atyre familje nga mendja ime, nga sytë e mi.

Ndjeva dhe frikën e tyre për çdo lëvizje të tokës, sepse tërmeti të heq sigurinë brenda mureve, e sigurisë që ke ndërtuar me djersën tënde. Për këtë kur u ktheva i thashë vetes, lëviz bëj diçka, dhe këtu lindi ideja e darkës.

Kur u ktheva në Itali telefonova menjëherë Ardit Currin, i cili kishte qenë duke menduar të njëjtën gjë, dhe menjëherë ofroi restorantin e tij. Së bashku kërkuam dhe kolegët e tjerë në Toscane, Ronald Bukri, Gentian Shehi, Lul Vulashi dhe punuam bashkë për të organizuar këtë darkë, duke kontaktuar sponsor, miq në rrjetin tonë që na ndihmuan. Kemi pasur një përgjigje të shpejtë e të ndjeshme nga kolegët tanë këtu në Itali.

-Ku do të organizohet dhe kush mund të vij të konsumojë ushqim aty?

Ky event organizohet  në 31 Janar 2020, orën 20,00 në San Gimignano, Ristorante San Martino 26. Shef i restorantit është Ardit Curri. Gjithkush mund të vijë, dera është e hapur për të gjithë.

-Cila është menuja. Çfarë do të ketë interesante?

Menuja është komplet kultura gastronomike shqiptare, për çfarë mendoj unë të gjitha janë interesante.

-Ku dhe për çfarë do të përdoren të ardhurat e grumbulluara?

Të ardhurat janë të destinuara në Bubq, ku unë isha, ku vërtetova gjendjen. Janë dy familje që do të kenë këto të ardhura.

-Ju jeni një shefe kuzhine që jetoni dhe punoni në Itali. E ndjeni veten ndryshe pasi shumica e shefave janë meshkuj?

Shpresoj të vij një ditë që mos të ma bëjnë këtë pyetje, unë nuk shikoj femër o mashkull, unë shikoj rezultatin. S’ ka dallime, ka  vetëm objektiva.

-Sa e përdor kuzhinën shqiptare në punë?

Mendoj se si diçka që ke jetuar, e mban mend, dhe ka vendin e saj kudo.

-Çfarë mbani mend nga gatimet e gjyshes në fëmijërinë tuaj?

Aromën, thjeshtësinë, pastërtinë e shijes.

-Entiana, është e vështirë të punosh në këtë terren?

Varet si e shikon punën dhe çfarë ke afër, zakonisht jam optimiste, për mua nuk ka kufi. Gjithçka është e arritshme, me aftësi, punë, organizim e skuadër të besueshme.

-Ke një pjatë karakteristike që e ke tënden dhe ta kërkojnë shpesh, cila është ajo?

Asnjë pjate, ingredient, më pëlqen bimësia.

-I ndjek restorantet në Shqipëri. Mund të na thuash diçka për cilësinë e tyre?

Cilësia ka fluturuar, Shqipëria është rritur shumë, shqiptaret si popull janë të hapur e mësojnë shpejt. Kjo është pozitive dhe negative.

-Çfarë mungon në to?

Akoma është shpejt për të folur, akoma janë në rrugë, ndryshimi është i vazhdueshme.

-Ke menduar ndonjëherë të kthehesh dhe të hapësh një restorant këtu?

Kam një projektin tim, po punoj, akoma rruga është e gjatë, mendoj qe duhet të përqendrohem ku jetoj, jam posesive në punë, po nuk pashë …nuk besoj.

Flash Lajme

Më të lexuarat