Marinari i marinës amerikane, i njohur për fotografinë e famshme të puthjes së tij me një vajzë pas shpalljes së përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare.

George Mendonsa vdiq 17 shkurt 2019 pas një infarkti në zemër vetëm disa ditë përpara ditëlindjes së tij të 96-të, tha vajza e tij Sharon Molleur për NBC News.

Ai kishte jetuar në banesën e tij në Middletown në Rhode Island, me gruan e tij Rita prej 70 vjetësh.

Imazhi i George Mendonsas u bë një nga më të njohurit në botë, kur u fotografua duke puthur një vajzë në sheshin Times Square në Nju Jork më 14 gusht 1945, ndryshe e njohur si ‘VJ’, dita e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ose dita kur Japonia kapitulloi zyrtarisht ndaj SHBA-së.

Fotografia e shkrepur nga fotografi Alfred Eisenstaedt, u botua më vonë në revistën amerikane Life Magazine me titullin ‘Dita e fundit e Luftës së Dytë Botërore në Times Square’, dhe u bë e famshme sepse simbolizonte euforinë e amerikanëve dhe njerëzve në mbarë botën për shkak të  përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sidoqoftë, për vite me radhë identiteti i çiftit duke u puthur në fotografi ishte i panjohur, pasi fotografi Eisenstaedt nuk arriti të marrë ndonjë informacion rreth personazheve të fotos të cilin e shkrepi spontanisht, por që vajza u identifikua më pas si Greta Zimmer Friedman.

Pavarësisht se pretendonte se ishte fotografuar në foto, marinarit Mendosa iu desh disa vite që të konfirmohej që ishte ai, shpjegon NBC News.

‘Ai ishte shumë krenar për shërbimin e tij në marinën amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe për fotografinë ikonike dhe simbolikën që ajo përfaqësonte’, tha vajza e tij.

E njëjta gjë vlejti edhe për zonjushën Friedman, e cila punonte si infermiere dhe asistente dentare në atë kohë dhe që nuk e njihte djaloshin marinar George Mendonsan para se ky i fundit ta puthte spontanisht në mes të sheshit Times Square në Nju York gjatë festimeve në përfundimin zyrtar të Luftës së Dytë Botërore.

Identitetet e të dy personazheve në foto, u provuan përfundimisht nga historiani Lawrence Veria, i cili shkroi në librin e tij ‘Puthja e marinarit: Misteri pas fotos’, ku ai vërtetoi që personat në foto ishin infermierja  Friedman dhe  marinsi Mendonsa. Zonja Friedman ndërroi jetë në vitin 2016 në moshën 92-vjeçare.

v.l/ Dita

Flash Lajme