Çfarë do të bënit nëse do të ishit kryebashkiaku i një qyteti të mbushur plot me ndërtesa ngjyrë gri dhe me arkitekturë të epokës komuniste? Epo, një zgjidhje mund të ishte ta bënit qytetin me të gjallë me anë të ngjyrave.

E në fakt kjo ishte ajo çka bëri Edi Rama në vitin 2000, kohë në të cilën ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, si pjesë e projektit “Pastro dhe Gjelbëro”. Ai tani është kryeministër.

Ka shumë ndërtesa që janë të lyera me ato që sot njihen si “ngjyrat e Edi Ramës”.

Shumë media të huaja kanë theksuar vazhdimisht ndryshimin e Tiranës dhe ngjyrat që ajo ka marrë gjatë këtyre viteve.

Por duket se në të njëjtën linjë po vazhdon edhe kreu aktual i baskisë Erion Veliaj, duke i dhënëhapësirë jo vetëm ndryshimit tëfasadës me anë të ngjyrave por edhe pikturave murale që tashmë janë kthyer në pika identifikuese për kryeqytetin.

Gjergj Islami është arkitekt. Ai e njeh qytetin dhe zhvillimin e tij.

Ai është pedagog, pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Në vitin 2016  ka marrë gradën Doktor me disertacionin Përmirësimi i Performancës Energjetike në Banesat me Panele të Parapërgatitura në Tiranë.

Fusha të tjera interesi për të janë: Zhvillimi i Qëndrueshëm Ambiental, Planifikim Territorial, Housing, Arkitektura Socialiste në Shqipëri dhe Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore.

Ne e kemi ftuar Islamin sot në Dita, për të kuptuar me tepër Tiranën duke e parë nga ngjyrat  që i janë shtuar vitet e fundit.

-Z. Islami, Tirana duket një qytet që ka ndryshuar shumë nga ana arkitekturore. Zhvillimi i arkitekturës dhe mbipopullimi ka bërë efektin e vet, mesa duket. Ju si e shihni kryeqytetin në këtë drejtim?

Në shekujt e fundit, Shqipëria ka qenë gjithmonë në periferi të zhvillimeve të rëndësishme të ekonomisë, industrisë, artit dhe kulturës. Në këtë kontekst, as arkitektura nuk ka mundur të jetë përtej këtij niveli zhvillimi.

Ajo çka është më interesante në Tiranë, është fakti se arkitektura dokumenton të gjitha transformimet shoqërore, kulturore e politike që kanë ndodhur në vijimësi. Këto transformime kanë lënë gjurmë në qytet duke krijuar një shtresëzim mjaft interesant, jo më shumë për nga përmbajtja e shtresave sesa nga larmia mes tyre. Me lëvizjet e vazhdueshme historike e politike nga lindja në perëndim kemi krijimin e shtresave urbane me karakter të ndryshëm që mbivendosen në mënyrë të çuditshme në një vend që gradualisht kthehet në një kufi mes dy botëve.

Këtu i referohem fillimisht kulturës otomane, më pas influencës së modeleve perëndimore austriake dhe italiane, më tej rikthimit në lindjen socialiste të udhëhequr nga kultura sovjetike e më pas kthimit drejt modelit perëndimor kapitalist. Të gjitha këto lëvizje historike kanë krijuar copëza të kryeqytetit që gjithmonë kanë konkurruar me pararendësen duke u mbivendosur në një mozaik ku nuk mund të shquhet një karakter i qartë… ose ndoshta mungesa e tipareve të qarta është edhe tipari më interesant i qytetit.

Për sa i përket dokumentimit të historisë në arkitekturë, një element mjaft i veçantë i qytetit duket se janë edhe transformimet e arkitekturës socialiste gjatë thuajse tre dekadave të fundit.

Fenomeni i shtesës dokumenton qartë proceset që ka kaluar shoqëria shqiptare pas rënies së komunizmit. Shtesa është fenomeni i interpretimit të lirisë nga shqiptarët, i nevojës për të përmirësuar jetën e tyre, i konceptit mbi privaten dhe kolektiven, i ndjeshmërisë estetike etj. Ky fenomen transformoi peizazhin e qytetit dhe ndoshta është forma më e sinqertë e bashkëveprimit mes arkitekturës dhe shoqërisë, një bashkëveprim pa praninë e arkitektit . Megjithëse Tirana ka pak arkitekturë monumentale, ndërtime cilësore apo objekte ekstravagante, ajo ka shumë arkitekturë të vërtetë, që tregon të vërtetat e zhvillimeve urbane, historike e politike dhe kjo arkitekturë është padyshim e bukur.

-Kur Edi Rama u bë kryetar bashkie në Tiranë, ai futi për herë të parë ngjyrat në fasadat e pallateve.  E bëri kjo gjëedhe më interesant kryeqytetin?

Ngjyrat e Tiranës ishin pjesë e një aksioni social e politik për transformimin e qytetit më shumë sesa një gjest i mirëfilltë arkitektonik. Kjo ndërhyrje rezultoi e suksesshme gjatë viteve 2000 duke mundësuar transformimin radikal të mjedisit urban me fonde minimale. E ky transformim padyshim që pati impakt jo vetëm në psikologjinë e  kryeqytetasve por edhe në ekonominë e qytetit. Ky aksion krijoi edhe një imazh të marketueshëm të Tiranës si qyteti i ngjyrave, imazh i cili tërhoqi dhe vëmendje ndërkombëtare.

-Ngjyra gri ka dominuar pallatet në kryeqytet para viteve ‘90, a e kanë gjallëruar ngjyrat që janë vendosur kohët e fundit kryeqytetin?

Në fakt e gjelbra ka dominuar peizazhin e kryeqytetit deri në vitet ’90…(qesh).

Ngjyra gri e ndërtesave është pasojë e teknologjisë dhe materialeve të ndërtimit gjatë socializmit. Në arkitekturë përdorimi i ngjyrës vjen natyrshëm përmes materialeve të zgjedhura e nëse ngjyra e tyre natyrale është gri edhe ndërtesa ngjan e tillë. Lyerja e ndërtesave me ngjyra të panatyrshme për materialet e tyre nuk është një praktikë e mirëfilltë arkitektonike por një ngacmim artistik që padyshim transformon hapësirat apo ndoshta, siç u shprehët ju, edhe i gjallëron ato. Por në mendimin tim, qyteti ka nevojë për arkitekturë që shpreh karakterin e saj natyrshëm. Është më e rëndësishme të evoluojmë në teknologjinë e ndërtimit dhe në materialet që përdorim sesa të vijojmë të ndërtojmë objekte që shpejt do të kenë nevojë të lyhen.

– Si ndikojnë ngjyrat në psikologjinë e njerëzve?

Kjo është një pyetje për psikologët. Përgjithësisht arkitektët e përdorin ngjyrën në mënyrë të qëllimshme për të theksuar elemente të caktuara të hapësirës. Arkitekti projekton hapësira, dhe kur hapësira ka nevojë për ngjyra ai nuk i kursen ato. Gjithsesi, ngjyra nuk është qëllim në vetvete në praktikën arkitektonike.

-Sa e rëndësishme është që një qytet të ketë vende të identifikuara si pikë takime,  si për shembull, “pallati i peshkut” apo edhe të tjerë ?

Shumë e rëndësishme! Kjo krijon ndjesi të orientimit në qytet por edhe ndjesi përkatësie të komunitetit me hapësirën urbane. Edhe kur nuk e bëjnë arkitektët, janë vetë qytetarët që krijojnë pika të tilla në qytet. Është e çuditshme se si dyqani i peshkut ishte dikur thuajse i njëvlershëm me stadiumin Dinamo, megjithëse shumë të ndryshëm në përmasa, funksion dhe rëndësi urbane. Përtej arkitekturës dhe estetikës, marrëdhënia që njerëzit krijojnë me qytetin është ajo që e bën vërtetë interesant dhe të bukur një qytet.

***

 

Ngjyrat vrasin sedrën e atyre që nuk janë pjekur ende

Një nga njerëzit i cili sapo ka përfunduar një punë konkrete në Tiranë është Eljan Tanini.

Pallati që dikur quhej i peshkut sot i ka peshqit në muret e tij.

Tanini ka punuar me ngjyrat të forta në fasadën e këtij pallati, pranë Stadiumit SelmanStermasi, ky mbizotëron bluja dhe e verdhë.

Tanini na shpjegon diçka më tepër për origjinën e emrit të këtij pallati.

Njihet si “Pallati i peshkut” ose te “Peshku”. Banorët thonë se pas vitit 1957, kur gjendesh përballë pallatit, në fillim të së majtës ballore, ka qenë dyqani i peshkut. Gjithashtu, zona e këtij pallati  njihet kështu, pra është shenjë e kujtesës së përbashkët. Pallati rastisi të ishte i tillë. Thuajse nuk i kishte mbetur asnjë vlerë nga fasada primare me të gjitha ndërhyrjet personale. Me pak fjalë, e kishin trajtuar sipas dëshirës, duke e lënë në gjendjen e tij më të shëmtuar. Zgjodha atë pallat pasi më pëlqente ta mbushja me kolore shformuese. Duke krijuar në këtë mënyrë një kaos lëvizjesh nga vetë ngjyrat dhe format lojacake, të cilat janë karakteristikë e pikturës sime. Ai pallat u zgjodh edhe sepse unë shpesh herë, punët që i bëj i kam të lidhura me kujtesën e përbashkët. Ndër të tjera edhe sepse ajo lloji fasade duhet të ndryshonte. Tulla e saj nuk ishte dekorative. Më pëlqen kur shpesh herë, në hapësira të caktuara e të mëdha, hedh shumë bojë”- tregon Eljani për Dita-n.

Për Eljanin nuk ka qenë aspak e lodhshme të punonte me ditë tëra mbi skelë. Madje sipas tij kjo është një stinë shumë e mirë për të punuar në lartësi të tilla, por edhe për të pikturuar me kaq shumë ngjyra njëherësh.

“Jam mësuar me lartësitë, nuk më bëjnë përshtypje. Ajo që më çudit është fakti se ngjyrat në një qytet si Tirana, mezi vazhdojnë të pranohen ende”- shprehet Eljani duke iu referuar edhe shumë komenteve që janë bërë për të dhe punën e tij në rrjetet sociale.

Ka edhe një fakt tjetër: Piktura ime nuk është realiste, por dekorative dhe shpesh herë surealiste. Përmes kësaj, dua që njerëzit t’i japin vetë formë asaj që shohin, jashtë asaj që gjendet nga krijimi im primar. Të lodhshëm janë vetëm ata që kur pallati ishte i pa bukur, thonin pse nuk bëhet etj. Pastaj filluan të lodhen edhe nga ngjyrat! Unë nuk fle me shpirtin e njerëzve që banojnë në këtë qytet, e as nuk zgjohem po atje. Në gjithë këtë histori, nuk kam për të ngjyrosur apo për të pikturuar kurrë, shijet estetike të botës. Më mjaftojnë të miat, dhe të atyre me të cilët flasim për të bërë ndërhyrje të tilla. Jam vetë i bindur se kurrë nuk do të kisha pikturuar me kaq shumë bojë në një fasadë historike buzë rrugëve të rëndësishme të Tiranës. Ose në po ato pallate të vjetra ku mbase deri diku, vlen të kthehet fasada e vjetër siç ka qenë. Ku shpesh herë, jo të gjitha kanë vlerë”.

-Në fakt kjo nuk është puna e parë që ju bëni në fasadat e pallateve në Tiranë, pse keni zgjedhur t’i jepni ngjyra qytetit?

Kurrë nuk do ta ndryshoj këtë që kam nisur. Gjithashtu nuk kam ndërmend të merrem me imazhin e njeriut mbi fasada. Më pëlqen loja dhe dekoracioni im, kjo më mjafton. Përveç se është një stil tjetër nga i imi, njeriu mjafton të mbetet në tokë. Kjo nuk do të thotë se të tjerat që gjenden në Tiranë nuk bëjnë. Përkundrazi, janë të admirueshme. Por këtu po flas për veten time. Jam i lidhur me jetën urbane në qytet. Shpesh herë e kam lënë studion dhe punët e mia për të bërë këtë që ju shihni sot. Më pëlqen të shoh një Tiranë me shumë ngjyra nëpër ato ndërtesa të cilat nuk kanë asnjë vlerë. Ajo e mira është ngjyrë, nuk vret. Aq sa kam parë, ngjyrat vrasin sedrën e atyre që nuk janë pjekur ende. Të atyre që të qeshin kur të takojnë në rrugë, dhe të shajnë në Facebook.

-Nuk mendon se ngjyrat e ngarkojnë qytetin?

Ngjyrat? Jo, kurrë. Ato nuk kanë shkatërruar kurrë asgjë. Sot janë e nesër jo. Sa më të dashura të jenë, ato edhe pas shumë vjetësh ngjajnë bukur. Një njeri që vishet me ngjyra, ngjan po aq mirë me veten e tij, sa po ai vetë kur vesh më pak kolor. Atje ku nuk ka vlera, ngjyra pasuron më shumë. Madje zgjon edhe dëshirën për të jetuar më mirë. Tirana për mendimin tim, të favorizon të luash me bojën. Me kaosin që kemi, përhapja e bojës në mënyrë simetrike ose jo, jep shije estetike, dhe jo raciste. Nuk vrasin ngjyrat, por fjalët.

-A ndikojnë ngjyrat në psikologjinë e banorëve?

Për mua ngjyrat ndikojnë njësoj si pemët. Entela, nuk na ka gjetur kurrë asgjë nga ngjyrat. Nëse ato vendosen në vendet ku duhet, por edhe në hapësira ku nuk kanë qenë kurrë më parë, harmonia që të japin, nuk e bën kuletën më të mirë, as jetesën brenda tyre më të paqtë në komunitet, por zgjon imazhin që kërkon format. Pikturat e mia janë shkarravina, janë letra nga republika e shkarravinave. Ato  imitojnë lojën e fëmijëve me bojë mbi hapësira të vijëzuara të cilat mund  të pikturohen me ngjyra të ndryshme sipas imagjinatës fëminore.

-Pas “pallatit të peshkut”, ke ndonjë plan tjetër?

Po kam diçka tjetër në mendje, në Tiranë, Shqipëri por edhe diku jashtë nesh. Këtu: Të shohim pasi të mbyllen zgjedhjet. Se edhe jashtë Tiranës, mezi i kuptojnë ngjyrat, e gjitha kjo në varësi të lirshmërisë mendore që kanë drejtuesit e qyteteve. E barabartë kjo me qeset (qasjet) politike. Ku për fat të keq, nuk të kuptojnë të gjithë. Madje edhe kur bën një donacion, shpesh herë për ta, hedhja e ngjyrave ka kosto politike.  A thua se ato shkaktojnë luftë sezonale mendore. Të paktën Tirana, është tmerrësisht shumë më e kuptueshme e me zemër të madhe. Prandaj, i falenderoj të gjitha ata që bashkëpunuan me mua për “Pallatin te Peshku”.

Flash Lajme