Lule të verdha të kanolës kanë mbuluar zonat rurale në Republikën Çeke. Ndërkohë banorët janë të zemëruar dhe fajësojnë udhëheqësin e tyre miliarder se po e infekton vendin me bimën fitimprurëse.

“Njerëzit thonë se ajo mban erë të keqe, është e shëmtuar, e verdhë dhe duket invazive. Por, nuk mund të fajësosh bimën. Problemi është mënyra sesi ne e përdorim atë. Duke rritur kanolën, ne po shkatërrojmë fshatin, ujin, tokën dhe biodiversitetin”, tha Jakub Hruska, akademik.

Me fushat e kanolës që mbulojnë 16 për qind të tokës së punuar në Çeki, vendi kryeson në Bashkimin Europian për rritjen e bimës.

Kryeministri Andrej Babis konsiderohet si përfituesi më i madh, sepse ai e ka krijuar pasurinë e tij si pronar i një grupi që mbulon të gjithë ciklin e përpunimit të kanolës.

Bima rritet dhe me të prodhohen fertilizues dhe pesticide. Ajo përpunohet në biodiezel, që i shtohet karburantit diezel të frymëzuar nga një direktivë e BE-së për biokarburantet.

Kanola përdoret edhe për qëllime ushqyese. Vaji i kanolës është ideal për skuqje dhe kanola shërben edhe si ushqim për bletët. Por, ajo është edhe një bimë pak rezistente ndaj parazitëve e kërkon trajtim kimik të madh.

Pesticidet qëndrojnë në tokë, shiu i dërgon më pas në lumenj apo në ujin e nëndheshëm, ndërkohë që vrasin mikroorganizmat dhe reduktojnë biodiversitetin.

Sidoqoftë, fermerët çekë po fitojnë jo pak me kanolën, thuajse dy herë më shumë nga sa do të fitonin me grurin.

j.l./ dita

Flash Lajme