Nga Entela Resuli – DITA

Dhurata Caushaj, është një nga kandidatet për Këshillin Bashkiak në Gjermani. Ajo po kandidon në zonën e Freiburgut.

Caushaj është shqiptare dhe nëse zgjidhet do të përfaqësojë gjithë problemet e komunitetit shqiptarë që jetojnë atje.

Emri i saj këto ditë është përfolur edhe në mediat tona.

Caushaj ka emigruar 26 vite më parë në Gjermani. Është nënë e dy vajzave. Bashkëshorti i saj ka një biznes privat ndërsa Dhurata ka përfunduar studimet për shkenca kompjuterike dhe punon në Organizatën e Grave të Pavarura të Freiburgut.

Këto vite në emigrim kanë qenë intensive për të. Ka punuar, ka ndërtuar familjen, por edhe është formuar nga ana profesionale.

Vendi ku jeton, tashmë prej më shumë se 20 vitesh, i ka mësuar që të jetë e duruar dhe me këmbë në tokë.

Pavarësisht arritjeve, si në anën personale, ashtu edhe profesionale, ajo ndjen mall për Tiranën, vendlindjen e saj.

Për ata që janë në emigrim, duket sikur kudo që të shkojnë, mbajnë me vete një tis trishtimi për atë çka kanë lënë pas, qofshin këto edhe kujtime.

Për të mësuar më shumë për jetën e saj, kandidimin, por edhe se çfarë mundësish kanë shqiptarët që duan të shkojnë, të punojnë dhe jetojnë në Gjermani, ne kemi biseduar më të.

Ajo ka rrëfyer për Dita-n jetën e saj në emigracion dhe dëshirën që ka për të ndihmuar shqiptarët në vendin ku jeton.

-Zonja Dhurata, këto ditë emri juaj është bërë i njohur për mediat në Tiranë, pasi ju jeni duke kandiduar në Këshillin Bashkiak atje për zonën e Freiburgut. Na tregoni pak më tepër për këtë angazhim tuajin?

Isha në Shqipëri, madje në Durrës kur me erdhi një mesazh nga zonja Irene Vogel ku me pyeti nëse do kisha dëshirë të kandidoja. Për momentin mbeta pa fjalë, më pas sigurisht që pranova dhe e falënderova për kërkesën e saj.

– Çfarë do të thotë për ju ky kandidim?

Ndjehem e vlerësuar sepse e fitova me një sasi absolute vendin e kandidimit dhe njëkohësisht është një përgjegjësi. Në qytetin tonë unë jam e vetmja shqiptare si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat që kandidoj. Dëshiroj që ne shqiptarët të jemi më aktive në jetën politike si të qytetit, por edhe më tej. Të marrim edhe ne vendin që na takon, por edhe përgjegjësinë që na takojnë. Të dalin në pah vlerat tona. Ne kemi shumë vlera për të transmetuar.

-Mendoni se do të fitoni?

Edhe nëse nuk fitoj, pasi kemi një larmi forcash politike në këto zgjedhje bashkiake, mendoj se kam fituar sepse ne emigrantëve na u krijua mundësi për t’u përfaqësuar madje edhe të kemi ndikim në vendimet e marra nga Bashkia. Ne kemi tre kandidatë në krye të listës tek te cilët unë kam shumë besim që do të na përfaqësojnë denjësisht dhe pa kompromise.

-Në atë çka kam lexuar për ju thuhet se ju jeni aktiviste për të drejtat e grave dhe emigrantëve në komunitetin gjerman. Cilat janë problematikat e grave emigrante atje?

Problemet janë të ndryshme, sëpari gjuha dhe integrimi i tyre profesional. Kjo do kohë edhe shumë punë nga të dyja palët. Kulturat e ndryshme, problemet e lejes së qëndrimit, problemi i banimit, dhuna fizike si edhe ajo psikologjike brenda familjeve.

-Cila është nevoja shqiptarëve në këtë periudhë, aty ku ju kandidoni?

Nevojat janë nga më të ndryshmet dhe ato me të cilat përballemi shpesh është shëndeti i tyre, Problemet e shkollës së fëmijëve si edhe shëndet i fëmijëve etj.

Unë jam shumë aktive në integrimin e grave dhe fëmijëve të huaja të ardhura kohët e fundit, duke kontribuar në krijimin e strukturave të caktuara në mënyrë që integrimin të jetë më i lehtë për të dyja palët si vendasit ashtu edhe të ardhurit. Duke vënë në punë përvojën time si emigrante, si nënë edhe si femër. Këtu përfitojnë edhe ato gra shqiptare që kanë ardhur tani kohët e fundit.

Në Gjermani ka disa probleme në të cilat përfshihet edhe femra emigrante, e cila në një kohë të caktuar edhe mund të preket nga këto probleme. Dhe këto janë probleme që nuk zgjidhen menjëherë, prandaj edhe organizata jonë punon në mënyrë sistematike për sensibilizimin e opinionit si edhe të detyrojë qeverinë të marri masat përkatëse.

Probleme të tilla janë, si varfëria në moshën e pensionit pasi merren një kohë shumë të gjatë me rritjen e fëmijëve si edhe kujdesin ndaj familjes, po ashtu edhe paga e cila nuk është njësoj me pagën e burrit.

Një tjetër problem është përfaqësimi i gruas në jetën politike. Shoqëria gjermane ka mbi 52 për qind femra. Në këshillin bashkiak tonin janë vetëm 35 për qind dhe në parlamentin e Republikës sonë diku tek 21 për qind. Kjo nuk është aspak e drejt. Ne kërkojmë barazi në sistemin arsimor të fëmijëve të emigranteve, por edhe vetë gjermanëve.

-Si ka qenë fëmijëria juaj dhe çfarë kujtoni prej saj?

Unë kisha një nënë që më bënte të ndjehesh princeshë me dashurinë që më jepte, por edhe shumë kërkuese në çdo drejtim. Sa ndonjëherë edhe vet nuk e besoja të ishte aq kërkuese. Mamaja ime vinte nga një derë e madhe e Frashërit. Ishte grua fisnike në shpirt e dashur dhe e drejt. Më kujtohet, pasi duhet të kem qenë 6 vjeçe, uleshim në darkë dhe unë futesha në kraharorin e saj dhe më lexonte librin Kozeta. Në mendjen time krijoheshin tablo sipas asaj që dëgjoja. Historia e Kozetës ishte e pranishme kudo në jetën time.

-Është kjo një periudhë që ka shënjuar jetën tuaj?

Patjetër, në mënyrë absolute.

-Ku keni lindur dhe kur jeni larguar për në Gjermani?

Unë kam lindur në Tiranë, madje në lagjen Dede Gjo Luli… Jam larguar nga Shqipëria në mars të vitit 1993.

-Si kanë qenë ditët e para në këtë vend?

Të vështira…

-Jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?

Patjetër, por jo kudo dhe, gjithmonë kam thënë; ata bëjnë tyren dhe unë bëj timen. Nëse e shoh të arsyeshme mundohem t’i ndihmojë në kthjellimin e këtij paragjykimi.

-Ju keni studiuar Shkenca Informatike, pse keni zgjedhur këtë degë?

Më pëlqente shumë, ishte një degë e re për mua dhe më tërhiqte misteri i saj. Unë kisha edhe mundësi të tjera por vendosa për informatikë. Fakti që unë për një vit rresht udhëtoja 400 km me tren çdo ditë, për të shkuar në shkollë, flet vetë.

-Aktualisht cili është angazhimi juaj në Gjermani, ku punoni?

Merrem me Organizatën e Grave të Pavarura të Freiburgut. Është e vetmja në këtë formë në Gjermani dhe ka një histori dhe veprimtari për t’u marrë shembull. Aktualisht punoj në disa projekte. Kam detyra nga më të ndryshmet. Ndër të tjera jam e angazhuar në një qendër për medien ku jam pjesë e anës didaktike dhe metodike si edhe e gjetjes së mediumit për të arritur publikun. Më jep shumë kënaqësi puna sepse jam shumë e lirë dhe kreative.

-Zonja Dhurata çfarë ju ka mësuar Gjermania që në Shqipëri ndoshta nuk do e kishit mësuar?

Shumë gjera, por më kryesorja ishte durimi dhe të qenurit me këmbë në tokë.

-Çfarë pëlqen nga vendi ynë?

Shqipëria është atdheu im, kam njerëzit, kam kaluar fëmijërinë time, u bëra nënë dhe kalova një pjesë të jetës. Shqipëria është një vend i bekuar me një klimë dhe natyrë të mrekullueshme.

-Çfarë mendimi ke për gratë shqiptare?

Janë gra të zonja dhe të zgjuara. Shoqëria dhe shteti duhet të bëjnë më shumë për të drejtat e gruas dhe për ta bërë atë të zonjën e vetes.

-Zonja Dhurata cila është familja juaj në Gjermani?

Jetoj me bashkëshortin dhe vajzat. Vajza e madhe lindi në Shqipëri dhe erdhi shumë e vogël në Gjermani. Tashmë ka mbaruar studimet për Bioteknologji Molekulare dhe punon si drejtuese studimesh në fushën e farmaceutikës. E vogla është ende në shkollë dhe bashkëshorti ka një aktivitet të tijën.

Sa i mirëpret Gjermania emigrantët?

Në Gjermani ka rryma të ndryshme dhe disa i mirëpresin e disa jo. Fakt është që Gjermania ka nevojë për emigrantët, por ka edhe të ikurit nga lufta që duhen pranuar.

Flash Lajme