Stili personal i Jacqueline Kennedy Onassis vijon ende të “huazohet” nga ndjekës të modës anembanë botës. Por, nëse plotësojnë edhe kushtin që të jenë mjaftueshëm të pasur sa për ta përballuar, tashmë fansat e saj mund të huazojnë edhe ish-jahtin e Jackie O.

“Christina O” u ble nga qeveria kanadeze nga bashkëshorti i dytë i Jackiet, manjati grek Aristotle Onassis në vitin 1954. Ai e riemëroi jahtin, duke i vënë emrin Christina të së bijës, ndërsa pas vdekjes së tij mori edhe prapashtesën O.

Tashmë, “Christina O” është vënë në dispozicion të manjatëve që kanë mundësi ta blejnë përmes një kompanie charterash të themeluar në Greqi, por që ka zyra edhe në Shtetet e Bashkuara, siç është “Valef Yachts”.

Veç ish-pronarëve të famshëm të saj, shumë prej figurave më të shquara të shekullit të XX kanë qenë të ftuar në bordin e “Christina O”, mes të cilëve Winston Churchill, balerina Margot Fonteyn, John Wayne, Maria Callas dhe Marilyn Monroe. Por, edhe pritja martesore e Princit Rainier të Monakos dhe Grace Kellyt është zhvilluar në bordin e saj.

Jahti është 99 metra i gjatë, e ka 17 salla pritjeje, një dhomë ngrënieje me hapësira për 40 persona, si dhe një pishinë që mund të konvertohet edhe në hapësirë kërcimi. Suita më e madhe e saj është quajtur padyshim “Onassis Suite” dhe ka një vaskë me ujë të nxehtë, shpesh për qëllime terapeutike, shkruan tch.

Çmimi minimal për të kaluar një moment atje është tejet i kripur: 560 mijë euro minimalisht për një javë gjatë periudhës me pak kërkesa të verës, ndërkohë që gjatë dimrit duhen shpenzuar 700 mijë euro. Çmime këto që nuk përfshijnë 20 mijë eurot e konsideruara depozitë sigurie për shpenzimet e domosdoshme si nafta, ushqimi apo pijet.

Në vitin 2013, jahti ishte shitur për plot 32 milionë dollarë.


Flash Lajme