Të tjera detaje janë zbardhur rreth atentatit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Poro në Vovoselë të Vlorës, ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë 32-vjeçari Eno Mata.

Sipas policisë, ishte pikërisht ky i fundit (Eno Mata) objektivi i atentatit, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan mbi dy shokët që po udhëtonin me një motor.

Mehillai dhe Mata ishin duke shkuar me motor për në banesë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, rreth orës 01:10 pak pas mesnate.

Policia bëri me dije se nga atentati, mbeti i vrarë 22-vjeçari, Sotiraq Mëhilla dhe u plagos rëndë 32-vjeçari, Eno Mata.

Mëhilli ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa Mata është nisur menjëherë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar shëndetësore.

Mëson se shënjestra e atentatit ka qenë Eno Mata, pasi rezulton me precedentë të mëparshëm penal.

Mata ka qenë një nga shqiptarët më të kërkuar në Greqi pasi akuzohet për grabitje me dhunë të një argjendarie si dhe për vrasjen e një avokati të njohur grek, Michalis Zafiropoulos, ngjarje kjo e ndodhur në Tetorin e vitit 2017.

Në qershor të vitit 2018, gjatë një tjetër grabitjeje, 32-vjeçari Mata i la një pusullë policisë greke ku pranonte se ishte grabitës, por jo një ekzekutor, duke mohuar kështu akuzat që ishin ngritur ndaj tij për vrasjen e avokatit.

“Sa i përket çështjes së z.Zafeiropoulos, jemi të dy viktima. Unë di të mbaj përgjegjësinë time. Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës,” shkruante Mata në pusullën që i la policisë.

Në Greqi ai njihej me një tjetër identitet, si Aleksandër Mata.

32-vjeçari shqiptar është rritur në qytetin Arkadia në Greqi dhe ka luajtur futboll me ekipin e atij qyteti. Shokët e tij e thërrisnin “Maradona shqiptar” për shkak të aftësive të tij shumë të mira në futboll.

Deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen e ndodhur, por policia gjeti një automjet “Benz”, i cili ishte braktisur dhe djegur në afërsi të fshatit Bishan, dyshohet se automjeti është gjetur nga autorët e atentatit.

Flash Lajme