Presidenti Ilir Meta do të nisë sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Mësohet se takimet do të nisin sot në orën 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë.

Bëhet fjalë për grupimin ku bëjnë pjesë Partia Republikane, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar, Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Takimet nisin fill pas vizitës në Kosovë ku presidenti Meta, do të marrë pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Të shtunën, ndërkohë që opozita protestonte në bulevard, presidenti Ilir Meta bëri me dije anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur të hënën, Meta sqaroi për mediat se vendosi të zhdekretojë datën e zgjedhjeve duke marrë parasysh klimën e tensionuar politike në vend, që mund ta çonte Shqipërinë drejt konfliktit social.

Vendimi u përshëndet nga kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa u quajt i pa precedentë nga lidershipi i Partisë Socialiste. Mazhoranca është zotuar të miratojë nesër në Kuvend një draft-rezolutë për shkarkimin e kreut të shtetit.

Këto zhvillime po e fusin vendin në hullitë e një konflikti jo vetëm politik, por edhe institucional, pasi vijnë në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale.

Flash Lajme