Fondi në dispozicion, i cili do të përdoret për likuidimin e këtij kësti, kap vlerën e 55 milionë lekëve. Pwrfitojnë direkt 70 ish-të përndjekur. Financat zbardhin edhe rendin e pagesave

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka çelur këstin e njëmbëdhjetë të shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish- të dënuarit politikë të regjimit komunist për subjektet përfituese të kategorisë parësore. Urdhri është firmosur në përfundim të likuidimit të këstit të 10-të për 75 subjekte përfituese të kategorisë parësore, nga 84 subjekte të përllogaritur në total. Përfituesit e kategorisë parësore, të cilët presin t’ju disbursohet ky këst, përllogariten të jenë 70 në total, 20 prej të cilëve i likuidohet e plotë vlera e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në këstin e 11-të. Fondi në dispozicion, i cili do të përdoret për likuidimin e këtij kësti, kap vlerën prej 55.216.887 lekë, ose e thënë ndryshe 15% e fondit total të miratuar të mbetur në dispozicion për këtë vit, i cili do të përdoret për likuidimin e këstit të 11-të. Urdhri i ministres së Financave,  Anila Denaj ngarkon Drejtorinë e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, për zbatimin e tij.

Rendi

Pagesa për kategorinë e subjekteve parësore, kryhet sipas kësaj radhe: 1)Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; 2)Ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi  75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; 3)Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; 4) Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; 5) Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së pare në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; 6) Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën  75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Të gjithë subjektet përfituese të cilët janë pjesë e nënkategorisë së parë dhe të dytë, duhet të paraqiten në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të plotësuar Deklaratën Personale të Aplikuesit me qëllim mundësimin e printimit të certifikatës së tyre personale nëpërmjet portalit të ofrimit të shërbimeve të qytetarëve online, e-albania.

Dokumentet

Ish-të përndjekurit duhet të depozitojnë pranë ministrisë, 1. Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv). Për nënkategorinë e tretë parësorë ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, dokumentet që duhet të depozitojnë janë: a) Deklarata personale e aplikuesit; b) Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. c) Vendimi i KMCAP, (KEMP-i epror), i cili vërteton humbjen e plotë të aftësisë për punë, origjinale. Vendimi duhet të jetë plotësuar saktë, me shkrim të lexueshëm, pa korrigjime, duhet të ketë të shkruar emrin/ mbiemrin e anëtarëve të KMCAP dhe nënshkrimin e tyre me vulën e komisionit. d) Epikrizë për sëmundje onkologjike, malinje dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuara nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Universitar “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar “Koço Glozheni”. Kjo epikrizë përgatitet nga mjeku që trajton të sëmurin,nënshkruhet me emrin dhe mbiemrin e mjekut kurues. Shefi i Shërbimit vërteton saktësinë e diagnozës dhe e nënshkruan këtë dokument dhe në fund, epikriza firmoset nga drejtuesi i institucionit shëndetësor me vulën përkatëse.

Kategoritë

Për kategorinë e katërt parësorë ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha kanë pasardhës të radhës së pare në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dokumentet që duhet të dërgojnë janë; a) Deklarata Personale e Aplikuesit; b) Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. c) Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur; d) Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur. Për kategorinë e pestë parësorë ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të  këtij ligjit, dokumentet që duhet të dërgojnë janë të njëjta me ato të kategorive të mësipërme.

Flash Lajme