Ish-Ministri për Evropën në Britaninë e Madhe, Denis MacShane flet në një intervistë me gazetën “Shekulli”. Ai thotë se protestat nw rrugë nuk mund të diktojnë ndryshimin e dekretit për datën e zgjedhjeve

Erjon Dervishi

Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Bruksel, u shoqërua me deklaratën e Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, i cili shprehu shqetësimin e tij në lidhje me situatën ku ndodhet Shqipëria. Zgjedhjet elektorale, sipas Presidentit Ilir Meta, duhet të shtyhen në një datë tjetër, me shumë gjasë në vjeshtë. Por një problem tepër i rëndësishëm është edhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Disa shtete të BE-së kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj idesë së zgjerimit të unionit. Duket se mbledhja e ardhshme në qershor, do të marrë në diskutim edhe Progres-Raportin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të përgatitur në Komisioni Evropian. Në analizën e Komisionit Evropian jepet një rekomandim pozitiv për Shqipërinë, por ato që do të vendosin do të jenë 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Denis MacShane, ish-Ministër për Evropën në Britaninë e Madhe flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Z. MacShane nuk është shumë optimist për raportin që ka Shqipëria me Bashkimin Evropian. Ky raport është ndikuar nga fakti se kohët e fundit ka pasur disa protesta të Partisë Demokratike në Shqipëri. Deklaratat kundër Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e kanë prishur imazhin e Shqipërisë.

Macshane, në Shqipëri, ka një debat për zgjedhjet lokale. Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar një dekret të ri në lidhje me zgjedhjet lokale. Çfarë mendoni për atë situatë?

Është gabim të lejohet që protestat në rrugë të diktojnë kur mbahen zgjedhjet. Shqipëria duhet të respektojë tabelën e zgjedhjeve dhe Presidenti duhet të shmangë përfshirjen në betejat partiake.

Komisioni i Bashkimit Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, por çështja kryesore në këtë pikë janë pozicionet e shteteve anëtare të BE-së. A besoni se Shqipëria ka ndonjë shans për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian para shtatorit?

Shqipëria dhe Maqedonia Veriore duhet të lejohen të fillojnë negociatat. Tani zgjedhjet e Parlamentit Evropian kanë kaluar, por nga frika se një grup nacionalist kundër myslimanëve të kryesuar nga Marine Le Pen, Matteo Salvini dhe Geert Wilders do të fitojë, ka rënë dhe Këshilli e Komisioni Evropian duhet ta respektojnë fjalën e tyre për Edi Ramën dhe Zoran Zaev, në mënyrë që të fillojnë bisedimet e pranimit.

Si e shpjegoni qëndrimin e Holandës dhe shteteve të tjera skeptike ndaj Shqipërisë?

Kjo situatë është e krijuar kryesisht për dy arsye. Dy zgjerimet e mëdha të viteve 2004 dhe 2007 kanë rezultuar në një ngritje të njëtrajtshme në demokraci, në sundimin e ligjit, në lirinë e medias dhe në uljen e korrupsionit. Pra, “lodhja nga zgjerimi” është bërë më keq në vendet ku ka një linjë të fuqishme anti-islamike me Holandën dhe Francën. Gjuha e opozitës që sulmon krerët kryesorë të Bashkimit Evropian, si Frederica Mogherini nuk e ka ndihmuar imazhin e Shqipërisë në kryeqytetet kryesore evropiane. Protestat e pafundme në rrugë e bëjnë Shqipërinë të duket e paqëndrueshme.

Cili është mendimi juaj për rolin e Gjermanisë në Shqipëri. Pse Bundestagu ka thënë se do të shtyjë vendimin për Shqipërinë në Tetor?

Gjermania ka nevojë për një sundim të qëndrueshëm të së drejtës në Evropë, me sa më shumë vende të jetë e mundur duke jetuar sipas rregullave të përbashkëta evropiane dhe duke pranuar ligjet e vlerat e Evropës. Por ka forca të reja ksenofobike nacionaliste kundër myslimanëve në Gjermani dhe Austri dhe zgjedhjet e fundit kanë parë një dobësim serioz të autoritetit të dy partive kryesore qeverisëse. Unë do të shtoja se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë më shumë diplomaci publike në Bruksel dhe kryeqytetet e Bashkimit Evropian për të kapur rastin e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

E fundit ka të bëjë në lidhje me dialogun Serbi-Kosovë. A mendoni se taksa 100 % e imponuar ndaj produkteve serbe duhet të revokohet nga qeveria e Kosovës?

Tarifat për tregtinë midis fqinjëve janë gjithnjë jo produktive, por duhet thënë se gjuhët e urrejtjes së pafundme nga nacionalistët më të djathtë të mbështetur nga Rusia kundër popullit të Kosovës, janë jashtëzakonisht provokative. Serbia duhet të pranojë që Kosova nuk është më një koloni e Beogradit, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Biografia

Denis MacShane lindi më 21 maj 1948. Ai është ish-politikan britanik i Partisë Laburiste. Denis MacShine ishte deputet i parlamentit të zonës së Rotherham, nga viti 1994 deri në dorëheqjen e tij, në vitin 2012 dhe shërbeu në Qeverinë Laburiste si Ministër i Shtetit për Evropën nga viti 2002 deri në vitin 2005. Në nëntor 2012, ai u pezullua nga Partia Laburiste, pasi Komiteti i Standardeve dhe Privilegjeve e Dhomës së Përfaqësuesve gjeti se ai kishte paraqitur 19 fatura të rreme “qëllimisht të destinuara për të mashtruar” autoritetin e shpenzimeve parlamentare. Në të njëjtën ditë ai njoftoi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen si deputet për Rotherham. Më pas, në tetor 2013, ai dha dorëheqjen nga Këshilli i Përkohshëm pas diskutimeve me sekretariatin e trupit. Në nëntor 2013 MacShane u deklarua fajtor për të dhëna të rreme në Old Bailey, duke dorëzuar fatura të rreme për £12,900. MacShane punoi për BBC-në nga viti 1969 deri më 1977, duke përfshirë si gazetar në Wolverhampton Wanderers për BBC Radio Birmingham. Ai u shkarkua nga BBC pas përdorimit të një emri të rremë për të thirrur programin radiofonik në të cilin ai punonte në atë kohë. Gjatë thirrjes, MacShane akuzoi politikanin kryesor konservator Reginald Maudling – i cili ishte detyruar të japë dorëheqjen pas akuzave për papërshtatshmëri financiare në 1972- të qenit mashtrues.

Flash Lajme