Projektligji/ Dhjetë deputetë të Kuvendit firmosin draftin që kushtëzon punën e Institutit të Krimeve të Komunizmit. Nisma pas publikimit të  265 kuadrove të LANÇ, të etiketuar “përgjegjës për krimet e luftës”

Lindita Bushgjokaj

Dhjetë deputetë të Parlamentit shqiptar kanë depozituar një projektligj, përmes të cilit synohet që Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa të kufizojë aktivitetin e punës së tij, duke nisur nga 28 qershori 1944 deri në rënien e regjimit komunist.  Projektligji i firmosur nga 10 deputetë ka qëllim që krimet e periudhës së komunizmit të mos prekin vitet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kujtojmë se më herët, Kuvendi i Shqipërisë e ka trajtuar këtë temë dhe në përfundim doli me një rezolutë për objektin e punës së Institutit. Së pari, rezoluta kërkon që të Instituti të mos përfshihet në studimin e viteve të luftës, por vetëm pas çlirimit dhe së dyti, që t’u qëndrojë strikt fakteve dhe provave duke mos i interpretuar ato.

Projektligji

Sipas draftit, nuk mund të jetë objekt i ligjit periudha e Luftës Nacional-çlirimtare, por pas datës 28 nëntor 1994. “Objekti dhe qëllimi i ligjit është i lidhur me krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe jo me të gjithë periudhën që nga krijimi i forcës politike komuniste antifashiste. Dokumentet historike kanë treguar se Partia Komuniste Shqiptare e themeluar në 8 nëntor 1941 fitoi mbështetje popullore veçanërisht me programin politik dhe me platformën për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjese pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit. Partia Komuniste Shqiptare, në programin e saj të shpallur, nuk shtronte kryerjen e revolucionit socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Ajo shtronte çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri. Me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.

Objektivat e LANÇ

Me luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare. Regjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (në vijim “LANÇ”), luftë e cila u fitua me gjakun e mijëra dëshmorëve dhe siguroi pavarësinë e vendit. Vetëm pas përfundimit të LANÇ;, Fronti Demokratik, ku ishin të përfshirë komunistët mori në dorë qeverisjen e vendit duke vendosur disa detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundërshtarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i Kushtetutës, reforma ekonomike etj. Nisur nga parashtrimi i mësipërm periudha e komunizmit, objekt i këtij ligji, nuk mund të jetë periudha para datës 28 nëntor 1944. Gjithashtu, pjese e objektit të ligjit është dhe përcaktimi i kritereve që duhet të plotësojnë punonjësit e institutit. Neni 18 i ligjit përcakton se nëpunësit dhe punonjësit e institutit e të arkivit duhet të jenë persona që gëzojnë besueshmëri. Për qëllimet e këtij ligji, i besueshëm është çdo person, që përveç kritereve të përcaktuara në këtë nen, të plotësojë edhe kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.  Institucioni që ngarkohet me zbatimin e këtij projektligji është Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri si dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Projektligji i propozuar nuk ka efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

Debati Tufa-Braho

Tema për hapjen e dosjeve të komunizmit është diskutua gjerësisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka nxitur debate mes shumicës dhe opozitës. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Parlament ka kritikuar krerët e institucionet shqiptare se nuk kanë marrë masa për të larguar ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit nga postet drejtuese. Sipas Tufës, ish-oficerëve të Sigurimit po u krijohet mbrojtje dhe po u lejohet të mbajnë postet drejtuese në administratën shtetërore. Në kundërpërgjigje, deputeti socialist Spartak Braho tha se ky institut drejtohet nga një letrar që ka mbaruar për letërsi në ish-Bashkimin Sovjetik. “Deri më sot asnjë nuk e dinte që ekzistonte ky Institut, i miratuar nga maxhoranca e Sali Berishës në 2010. Po meqë është, mirë bëhet dhe jam plotësisht dakord të ekzistojë. Kjo situatë e këtij debati u krijua gjatë disa ditëve më parë gjatë shqyrtimit të një rezolute në komisionin e ligjeve. Ky institut drejtohet nga një letrar që ka mbaruar për letërsi në ish-Bashkimin Sovjetik. Dua t’i them këto fjalë pasi më erdhi në mend një debat që më ka ngacmuar tërë kohën që ky studiues hidhte baltë dhe kërkonte heqjen nga qarkullimi të filmave dhe letërsisë para viteve ‘90. Me pak fjalë duhej zëruar çdo gjë dhe Kadareja, Agolli, Korreshi veçanërisht ato që përshkruanin ngjarje të luftës antifashiste”.

Flash Lajme