Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit foli për rrugën Tiranë-Durrës, ndërsa tha se nuk do të këtë tra në këtë segment në shtator. Ajo theksoi se ky projekt është në studim e sipër dhe ende nuk është marrë një vendim për ta bërë këtë aks kundrejt pagesës.

Sipas ministres, të gjitha rrugët në Shqipëri të cilat janë parashikuar për t’u futur në kategorinë me pagesë, duhet më parë që të sigurohet një rrugë alternative. Ministrja Balluku u thirr në interpelancë nga deputeti, Artur Roshi, i cili i kërkoi shpjegime në lidhje me projektin e rrugës Tiranë-Durrës.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm që ne të përgjigjemi për çdo interpelancë. Programi kombëtar për infrastrukturën është një program ambicioz, që synon për të përmirësuar standardet. Segmente e reja janë të kushtueshme. Koncesionet janë investime që paguhen nga privati dhe që shlyhen në kohë më të gjatë nga shteti. Prioritet, vlerësojmë edhe mirëmbajtjen e segmenteve rrugore. Si mund të filloj pagesa në shtator. Nuk bëhet fjalë për të vendosur as një tra as në shtator , as në tetor dhe as në dhjetor.

Deri në shtator do ta vlerësojmë nëse ky ka vizibilitet. Ky projekt duhet vlerësuar në kuadër shumë më të gjerë. Ky projekt ndodhet në fazë studimi. Problemi që këtu kemi është se ju e keni bërë fakt të kryer. Pritshmëria jonë është që të kemi debate. Ky studim është në duar të ekspertëve dhe kur unë të kem këtë dosje dhe do t’u përgjigjem pyetje kur dhe si dhe a duhet të jetë e përshkallëzuar për secilën dalje. Ky projekt nuk është në fazën për të kaluar në këto detaje. Të gjitha rrugët që në të ardhmen do të kenë atë që ju e quani tra, ka kuptim të aplikohet sepse ka të bëjë me mirëmbajtjen. Të gjitha ato projekte që do të kenë tra do të kenë edhe një rrugë alternative. Nëse do të bëhet ky projekt, duhet të këtë një rrugë alternative dhe kjo është rruga Tiranë-Plepa”,- tha ajo.

Flash Lajme