Arben Çuko dhe katër persona të tjerë, të arrestuar për akuza të grupit kriminal dhe trafikut të narkotikëve, akuzohen nga Prokuroria për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë

Xhentila Gjoshi

Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Çuko. Hetimet e përfunduara janë pjesë e dosjes “339”, ndërsa në gjyq kanë shkuar edhe katër persona të tjerë të akuzuar për korrupsion. Kujtojmë që gjatë gjithë kohës, ish-deputeti Çuko i ka mohuar akuzat ndaj tij. Çuko, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe katër persona të tjerë, përfshi të arrestuar për akuza të grupit kriminal dhe trafikut të narkotikëve, akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë. “Prokuroria pranë Gjykatës të Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me datë 19.06.2019 ka paraqitur kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr. 339/2 të vitit 2016 në ngarkim të të pandehurve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. Veç Çukos, nën akuzë janë edhe Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Artur Balla dhe Denis Llaftiu. “Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier”, thuhet në njoftimin e akuzës.

Hetimet

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, mbi bazën e akteve të referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal me nr.339 të vitit 2016, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 i Kodit Penal. Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian. Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier. Sqarojmë se më parë, po në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.339 të vitit 2016, është paraqitur kërkesa për gjykim të 12 të pandehurve të tjerë dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, akuzuar për veprat penale“ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet vazhdojnë për evidentimin e secilit fakt penal të rezultuar gjatë hetimit të kësaj çështjeje dhe për autorët e veprës penale. Ndërkohë, kujtojmë se pjesa e parë e dosjes dërguar për gjykim ka të pandehur nipat e ish-deputetit Arben Ndoka. Prokuroria ka bërë të ditur se të pandehur për këtë çështje janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri dhe Luan Boça. Damjan Ndoka dhe Vilson Ndoka nipat e ish-deputetit Arben Ndoka, janë dënuar ndërkohë më herët nga Gjykata e Shkodrës e Shkallës së Parë për akuzën e tentativës së vrasjes. Vetë ish-deputeti dhe të afërm të tjerë janë në akuzë për tjetërsim pronash, ndërsa vëllai i tij veç akuzës për tjetërsimin e pronave në bregdet, akuzohet edhe për përfshirje në trafik narkotikësh. Prokuroria thekson se vijon hetimet edhe për fakte të tjera penale që kanë dalë nga hetimi i kësaj çështje. Pjesët e kësaj dosje që kanë të bëjnë me ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhjet e vitit 2017, janë ende pa të akuzuar zyrtarisht.

5 të pandehurit

  1. Arben Çuko (ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
  2. Qerim Musha, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  3. Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  4. Artur Balla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  5. Denis Llaftiu, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.

Flash Lajme