Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima, deklaron se DASH dhe KE treguan zhvatjen e Shqipërisë nga klientët e Rilindjes.

Duke iu referuar raportit për  “Klimën e Investimeve për 2019-ën”, “Zgjidhja” thekson shqetësimin e DASH për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

DASH dhe KE tregojnë zhvatjen e Shqipërisë nga klientët e Rilindjes

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi sot raportin për “Klimën e Investimeve për 2019-ën”, duke u shprehur i shqetësuar për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave si dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri. Për DASH Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes, me korrupsion, mungesë në transparencën e prokurimeve publike dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme. Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politika specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri.
Raporti i DASH-it i cilëson korruptive prokurimet që bën qeveria, ndërsa PPP-të si vrasëse të konkurrencës, duke u dhënë të drejtë të gjitha raporteve që e perceptojnë Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.
Po sot Komisioni Europian alarmoi për fondet që po marrin PPP-të dhe mungesën e investimeve në arsim dhe shëndetësi. Duke analizuar programin e pestë të reformave ekonomike (ERP) për periudhën 2019-2021, të hartuar nga qeveria shqipare, këmbanat e alarmit bien për nivelin e lartë të borxhit publik, mbledhjen e ulët të taksave, nivelin e ulët të konkurueshmërisë, papunësinë e lartë te të rinjtë, cilësinë e ulët të edukimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar etj dhe mbi të gjitha mungesën e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e partneritetit publik privat (PPP).
Të vetmit tregues me rritje janë shumat që buxheti do t’u paguajë klientëve të qeverisë për PPP-të, që sot janë sa 31% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe që do të shtohen edhe me 15% të tjera këtë vit.
Ky lumë parash do t’u merret sektorëve prioritarë si arsimi dhe shëndetësia, që prej vitesh kanë financimet më të ulëta në rajon. Por qeveria planifikon t’i ulë edhe më tej financimet në arsim, nga 2.5% në 2.2% të PBB dhe ato në shëndetësi nga 3.0% në 2.7% të PBB si dhe për mbrojtje sociale të shtresave në nevojë nga 9.0 % në 8.6% të PBB-së.
Ajo që do të trashëgojë vendi pas vitit 2021 do të jetë ‘toka e djegur’ e buxhetit të shtetit, një krim me financat publike dhe të ardhmen e vendit.
‘Zgjidhja’ ka deklaruar se Rilindja e ka ngritur korrupsionin në sistem, si asnjëherë më parë dhe të vetmit që bëjnë biznes janë klientët e qeverisë. PPP-të e nënshkruara nga PD-ja dhe Rilindja janë marrëveshje antikombëtare, janë pakte kriminale mes qeverive dhe klientëve të tyre, që ia pijnë gjakun vendit, e falimentojnë buxhetin dhe ekonominë.
‘Zgjidhja’ u ka premtuar shqiptarëve se me ardhjen në pushtet do t’i ndalojë përfundimisht këto praktika dhe do vendosë tatime të jashtëzakonshme për të gjitha këto marrëveshje turpëruese dhe falimentuese, do t’ua rimarrë PPP-ve dhe do t’ua shpërndajë shqiptarëve sërish këto fonde të vjedhura, duke i investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe për një rifillim të ngritjes ekonomike të vendit.

Flash Lajme