Prokurorët që kaluan dje në intervistë janë Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana. Zbardhen pyetjet e KLP-së, nga profesionalizmi deri tek kërcënimet

Xhentila Gjoshi

Pesë prokurorë janë intervistuar dje nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi kandidojnë për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Ky është institucioni më i ri që do të ngrihet në kuadër të Reformës për Drejtësi. Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana janë pesë kandidatët që u intervistuan dje. Seancat zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa përveç anëtarëve të KLP-së, pyetje bëjnë edhe dy vëzhgueset e huaj të Euralius dhe Opdat. 22 kandidatët që kërkojnë të hyjnë në Prokurorinë e Posaçme që do të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, u nënshtrohen pyetjeve që kanë për qëllim të kuptojnë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre. Procesi i intervistimit përfundon ditën e sotme me kandidatët Dritan Prenci, Ndini Tavani, Maksim Sota dhe Vladimir Mara. Javën që vjen, KLP pritet të rendisë dhe të pikëzojë kandidatët për në SPAK me vlerësimin “kualifikim i lartë, i mesëm dhe i ulët.”

Intervistat

Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana janë pesë kandidatët që u intervistuan dje. Prokurori Ened Nakuçi, prezantoi dosjet që ka hetuar ku përfshihen operacioni “Sunrise”, arrestimi i Fatos Selmanit, çështja e Klemend Balilit dhe çështja që njihet si “Hakmarrja për Drejtësi”. Gjatë intervistës ai është pyetur dhe ka folur për marrëdhëniet juridaksionale me autoritetet e huaja, si dhe për kërcënimet e vazhdueshme nga grupet kriminale që ka hetuar. Prokurorët Enkeleda Millonai dhe Enkeleda Xhengo, janë pyetur për çështje të përgjithshme. A keni ndjerë presion dhe ka ndikuar në vendimarrjen tuaj? Çfarë mendoni se duhet të funksionojë më mirë në bashkëpunim me autoritetet e tjera? Çfarë kontributi mendoni se do t’i jepni SPKA-ut? Si i vlerësoni rezultatet tuaja të arritura deri tani? Janë këto disa nga pyetjet që janë drejtuar ndaj prokurorëve. Ndërkohë, prokurori Klodian Braho ka hetuar funksionarë të lartë shtetërorë si prokuror në Gjykatën e Apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Lartë. “A ka patur paragjykime për ju ashtu siç ka për sistemin e Prokurorisë?”, ishte një prej pyetjeve që iu drejtua Brahos nga anëtarët e KLP-së. Ka patur raste, është përgjigjur prokurori, por rezultatet e punës time kanë qenë përgjigjja më e mirë ndaj këtyre sulmeve. Një tjetër pyetje për të ishte: “A mendoni se prokurori Klodian Braho do të jetë më i efektshëm në SPAK se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?”. Braho theksoi gjithashtu se nuk ka patur kërcënime me jetë, por presione nga njerëzit e hetuar rreth paraqitjes së çështjeve në gjykatë.

Kritikat ndaj prokurorit

Prokurori Ened Nakuçi i cili u intervistua dje nga KLP, është “kritikuar” nga KPK për çështjen e Shkullazit. Ai është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa referoi çështjen e largimit nga dosja e Emiljano Shullazit pa lajmërimin e eprorëve, për procedim disiplinor. Bashkë me këtë çështje, për procedim ndaj Nakuçit janë dërguar edhe tre probleme të tjera të gjetura për kriterin e aftësive profesionale. Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Ened Nakuçi përfshin në arsyetim fjali si: “ka treguar një sjellje tepër joprofesionale” apo “një sjellje neglizhente si rezultat i gabimeve thelbësore dhe serioze në aspektin hetimor dhe investigues”. Megjithatë, treshja që hetoi rastin e Nakuçit dhe u fokusua kryesisht në kriterin e aftësive profesionale, arsyetoi se ai arrinte “nivel minimal” në këtë kriter dhe e konfirmoi në detyrë. Trupa e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari vendosi po ashtu ta dërgonte prokurorin e Krimeve të Rënda për “procedim disiplinor” për katër çështje. Përgjatë arsyetimit, Komisioni e cilëson Nakuçin si joprofesional për largimin nga Shqipëria pa njoftuar drejtuesit, në një kohë kur akuza duhej të përgatiste konkluzionet për çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve, një hetim i kryer deri në atë pikë nga ai. KPK gjeti probleme edhe sa i përket pushimit të hetimeve për një grup të dyshuar për trafik narkotikësh dhe ngriti gjithashtu pikëpyetje për etikën lidhur me një rast të largimit nga vendi i një aksidenti. Në përgjigje të pyetësorëve të KPK-së, Nakuçi e ka justifikuar largimin nga çështja “Shullazi” me arsyet shëndetësore si një “rast fator”, duke shpjeguar se kishte qenë “i shokuar” dhe se nuk kishte pasur kohë të bënte njoftim formal të eprorëve. Ai po ashtu ka kundërshtuar edhe gjetjet e tjera të KPK-së.

SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e njohur me emrin SPAK, tashmë ka marrë formë të vihet në funksion. Por një pjesë e mirë e detyrave dhe funksioneve konkrete që ajo do të realizojë së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, janë përcaktuar në “strategjinë afatmesme dhe planin e veprimit” të prokurorisë shqiptare për vitet 2018-2020. Sipas strategjisë, organi i akuzës nuk duhet të përqendrohet vetëm tek lufta ndaj krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, terrorizimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por të zbulojë edhe grupet kriminale që i kryejnë këto vepra. Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK dhe Njësia e Posaçme Hetimore, e cila emërtohet “Byroja Kombëtare e Hetimit”, do të ushtrojnë kompetencat në mënyrë efikase dhe të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm, thuhet në dokumentin që i ka dhënë përgjigje edhe situatës aktuale kur reforma në drejtësi ende nuk është zbatuar plotësisht.

Kandidati për “Kushtetuese” në vetting, KPK: Ka mospërputhje në pasuri

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj ka dalë dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për herë të dytë. Në seancën e parë, ai kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues të relatores Xhensila Pine, por nuk është marrë parasysh nga trupi gjykues. KPK deklaroi dje se gjyqtari Mustafaj ka mospërputhje në çmimet e deklaruara për një apartament. Ndërsa vetë Mustafaj, kërkoi një proces të rregullt ligjor dhe të paanshëm. Mustafaj është kandidati i dytë që i nënshtrohet procesit të rivlerësimit nga kandidatët për formimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që kandidatja e parë, Regleta Panajoti, e kaloi me sukses procesin. KPK pritet të caktojë datë për vetting-un edhe për Anila Kristanin. Duhet që tre gjyqtarë të rivlerësohen në mënyrë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi të bëjë pikëzimin e të gjithë kandidatëve. Kjo ishte seanca e dytë që zhvillohet në KPK për Mustafajn, dhe kreu i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj ka deklaruar se për Mustafajn KPK ka vendosur të kryejë rivlerësimin e tij vetëm në një kriter, atë të pasurisë.

Diskutimet

KPK: Hetimi për gjyqtarin është kryer në një kriter të rivlerësimit, atë të pasurisë. Duhet të theksojmë se ky veprim nuk është i pakthyeshëm, trupi gjykues pasi të dëgjojë subjektin, ka të drejtë të vlerësojë hapjen e hetimit edhe për dy kriteret e tjera. Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka burime të ligjshme, nuk ka kryer deklarim të rremë. KPK, ka kryer një hetim tjetër për pasurinë. apartament 120 metra katrorë, burim krijimi është një kredi bankare marrë në vitin 2006, 40 mijë euro dhe 7 mijë euro detyrim personave të tretë. Ka mospërputhje mes deklarimit të fitimit të pronësisë. Ka mospërputhje për çmimin e paguar. Nga analiza financiare për vitet 2003-2016, ka dalë me bilanc negativ për tre vite. Dyshime janë ngritur edhe për një kontratë, ku gjyqtari ka përfituar shumën 30 mijë euro. Familjarët e gjyqtarit Ilir Mustafaj, kanë bërë marrëveshje me një shoqëri, të cilës i kanë dhënë një truall, nga kjo marrëveshje është përcaktuar që për shkak të trashëgimisë në këtë pronë në Yzberisht, do të përfitonte 30 mijë euro.

Gjyqtari

“Pasuria ime është një apartament 121 metra katrorë i marrë me kredi në vitin 2006. Një makinë e blerë për 430 mijë lekë dhe një tokë bujqësore e përfituar me ligjin 70501. E gjithë kjo pasuri, vlen 6.4 milionë lekë, duke futur edhe 1.1 milion lekë mobilim, shkon me vlerën 7.5 milionë lekë. Në lidhje me shumën prej 30 mijë euro, familja ime ka ardhur në 1996 në Tiranë, ka blerë një sipërfaqe toke prej 333 metra katrorë në Yzberisht. Në këtë tokë është ndërtuar një shtëpi ku kam jetuar deri në 2002 në një banesë 1-katëshe. Në 2011, si rezultat i planit rregullues të zonës aty u bën ndërtime dhe u prishën banesat. Shoqëritë e ndërtimit hynë në marrëveshje me familjarët. Në këtë sipërfaqe toke, nëna kishte 1/2 në pronësi dhe për pjesën që më takonte kam marrë vetëm 50 metra. Në kontratën për këtë pronë, thuhet në një aneks që djali do të marrë 30 mijë euro. Çdo gjë është e pastër, si në vitin 2011 kur është marrë kjo shumë, si në deklarimin në veting. Për pagimin e tatimit për këtë shumë, mbaj qëndrimin se nuk ka qenë detyrim imi, por i shoqërisë. Për këtë kam marrë edhe një shkresë të drejtorisë së Tatimeve, ku thuhet: Bazuar në ligj, pagesën e detyrimeve tatimore e mbart investitori dhe jo pronari. Të ardhurat e përfituara nga kontrata e shkëmbimit, nuk përbëjnë të ardhura të tatueshme për pronarët e truallit. Problemi i tretë që keni çuar është analiza financiare, në 23 vite të punës time si gjyqtar, kam dhënë dhe mësim. Nuk i jam ndarë Universitetit të Tiranës. Nga analiza personale, bilanci negativ është më i vogël”, është shprehur gjyqtari seancën e djeshme.

Prokurori Gentian Osmani në KPA, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar dje seancën e ankimimit për prokurorin Gentian Osmanin, i cili është edhe kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Osmani e kaloi procesin e vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik ka kundërshtuar vendimin në KPA. Sipas Komisionerit, Osmani gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Është një hua 20 mijë euro për të cilën rezulton se ka dokumentacion të pamjaftueshëm për provimin e aftësisë financiare të huadhënësve. Mungon dokumentacioni provues nëse shuma ka ardhur në Shqipëri ‘cash’ apo në rrugë bankare. Komisioneri deklaroi se nuk provohet vërtetësia e kësaj marrëdhënieje huaje. Trupi gjykues i kësaj çështjeje kryesohet nga Natasha Mulaj dhe anëtarë janë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz. Relatore është Ina Rama. Nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përveç Osmanit, janë të ankimuar edhe dy anëtarë të tjerë, Besnik Cami dhe Arben Dollapi. Ndërsa një anëtare tjetër, Antoneta Sevdari, ish-prokurore në shkallën e parë, pas konfirmimit në detyrë nga KPK u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Shkarkimi i Sevdarit solli mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve prej nga ku u votua një anëtar tjetër, prokurori i Shkodrës, Vatë Staka.

Flash Lajme